Lajme

Dëshmitari Berisha: Specialja ka kërkuar ndihmë nga prokuroria serbe


Gazetari Halil Berisha në Gjykatën Speciale.

Për ditën e dytë me radhë po dëgjohet dëshmia e gazetarit Halil Berisha në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Berisha i është përgjigjur në pyetjet e prokurorisë lidhur me artikujt e botuar në Gazetën Infokus, në të cilin ai ka punuar duke thënë se Task Forca Speciale ka kërkuar ndihmë nga prokuroria serbe.

“Gjatë këtij kontrolli të dokumenteve, ne kemi parë që aty ka shumë korrespodenca të kësaj Task Force Speciale të Hetimt me zyrtarë edhe prokurorë të shtetit të Serbisë, dhe atyre u kanë kërkuar t’iu sigurojnë dëshmitarë, të cilët i kanë përmend me emra, të cilët i kanë përmendur me adresa, që zyra e Task Forcës Speciale e Hetimit i di, por për t’i verifikuar adresat prokuroria dhe zyrtarët serbë”, ka deklaruar Berisha.

Ai ka shtuar se, “kështu që po, aty ka pasur emra të personave që Task Forca ka synuar t’i intervistojë dhe për të cilët ka kërkuar ndihmë nga prokurorët e Serbisë”.

Ndërsa, ka thënë se ky artikull është botuar më 9 shtator të vitit 2020.

“Posa i kemi marrë dokumentet i kemi shkruar ZPS-së për me pyet për autenticitetin dhe a janë konfidenciale dhe autentike këto dokumente. ZPS-ja nuk ka dhënë përgjigje të saktë, as nuk e ka pohuar as nuk ka mohuar asgjë lidhur me këto dokumente. Pastaj duke i pasur në pronësi këto dokumente në Gazetën Infokus kemi treguar çka përafërsisht kanë këto dokumente”, ka thënë Berisha.

Dëshmitarit i janë prezantuar edhe artikujt në të cilët ishte raportuar se hetues të Zyrës së Prokurorisë së Specializuar i kanë marrë dosjet që i ka poseduar Gazeta Infokus, gjithashtu për bastisjet e kryera në OVL-UÇK.

Gazetari Halil Berisha.

Për këtë, prokurori e ka pyetur dëshmitarin nëse ka ndonjë botim të historive për pretendime të veteranëve të rrejshëm të luftës.

“Kur nuk kam qenë gazetar i Gazetës Infokus kam qenë me një media tjetër, në atë kohë e di që ka pasur raportime të mediave të ndryshme ku kanë zbuluar edhe emra për disa veteranë që dyshohej që janë të rrejshëm. Këta emra, me sa më kujtohet, janë marrë prej një prokurori në Kosovë, ose diçka e tillë”.

Po ashtu, Berisha ka bërë të ditur se paraprakisht është intervistuar në Kosovë, më 25 gusht 2021.

“Kam pasur një thirrje sa kam qenë gazetar në Infokus, nëse nuk gaboj ku më është thënë që dëshirojnë të bisedoj me mua një hetues ose dikush i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, por që ai takim nuk ka ndodhur asnjëherë, nuk më ka kontaktuar më. Tani para asaj date më kanë kontaktuar nëse nuk gaboj një javë ose dy më herët nuk jam shumë i sigurt me data”, ka thënë Berisha.

Ai ka thënë se është kontaktuar nga prokurorja Valeria Bolici duke shtuar se nuk ka pasur ftesë me shkrim apo fletëthirrje për intervistimin e parë në Kosovë.

“Më ka thënë që do të intervistohem në lidhje me çështjen në fjalë dhe që jam në cilësi të dëshmitarit nëse më kujtohet. E kam pyetur dhe më ka thënë se nuk jam në cilësinë e të dyshuarit”.

“Unë jam gazetar dhe me thënë të drejtën unë nuk kam pritur të ftohem as për intervistim si dëshmitar, as si i dyshuar se unë e kam kryer punën time me sa di dhe në mënyrë profesionale, kështu që nuk e kam pritur së pari që do të jem i ftuar. Kjo ka qenë pak sa si e çuditshme për mua dhe kur më është bërë ftesa, unë kam kërkuar që bashkë me mua të jetë edhe z. Arianit Koci (avokat v.j.)”, ka thënë Berisha.

Ndërtesa e Dhomave të specializuara në Hagë

Edhe, të martën e 27 tetorit, dëshmitari Berisha ka dhënë dëshminë e tij por ka thënë se është obliguar të shkojë për të dëshmuar aty edhe pse nuk është i lumtur për këtë fakt.

“Kjo assesi nuk do ta pengojë faktin që unë do ta them vetëm të vërtetën. Megjithatë, unë këtu jam sepse më keni obliguar. Përndryshe, nuk jam shumë i lumtur që gjendem këtu”, tha Berisha para trupit gjykues.

Berisha ka punuar si gazetar për median kosovare Gazeta InFokus deri në muajin shtator të vitit 2020 dhe është dëshmitari i dytë i ZPS-në gjykimin ndaj Gucatit dhe Haradinajt.

Sipas rregullës 121(2) të Rregullores së Procedurës dhe të Provave të DHSK,  dëshmitari është detyruar të paraqitet për të dëshmuar, si dhe ka të drejtë që të ndihmohet nga një mbrojtës kujdestar.

15 shtatori kishte shënuar fillimin e gjykimeve në Gjykatën Speciale në Hagë dhe i pari që u ballafaqua me akuzat që rëndojnë mbi të ishte, Salih Mustafa.

Aktakuza ndaj ish-eprorëve të UÇK-së ishte ngritur më 26 tetor të vitit 2020.

Katër ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi u arrestuan në nëntor të vitit të kaluar nga ZPS-ja.

Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999.

Prokuroria e Specializuar i akuzon ata se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore