Lajme

Dëshmia e pilotit rus: Gjatë misionit kuptova se objektivi ishin banesat dhe civilët


Piloti rus i rrëzuar dhe i kapur rob, Maxim Krishtop, deklaroi se në procesin e kryerjes së një misioni luftarak, kuptoi se qëllimi nuk ishin objektet ushtarake, por godinat e banimit dhe civilët.

Zëvendës komandanti i regjimentit të 47-të të aviacionit bombardues të Federatës Ruse foli në një konferencë të transmetuar nga agjencia “Interfax-Ukraine”.

Krishtop tha se urdhri luftarak për të goditur Ukrainën erdhi më 23 shkurt, një ditë para sulmit rus.

Sipas pilotit, ai kreu fluturimin e tij të parë luftarak më 24 shkurt, duke goditur Balakleya-n me bomba ajrore me eksploziv të lartë.

Fluturimi i dytë luftarak u zhvillua më 3 mars, objektivi ishte një kolonë automjetesh të blinduara pranë fshatit Izyum, rajoni i Kharkiv-it.

“Fluturimin e tretë luftarak e kam kryer më 6 mars 2022. Në bord kishte 4 tonë bomba ajrore me fuqi shpërthyese… Në procesin e kryerjes së një misioni luftarak, kuptova se qëllimi nuk ishin objektet ushtarake, por godinat e banimit dhe civilët”, ravijëzoi Krishtop.

Pas bombardimeve, ai u qëllua nga sistemet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës. Pas uljes, u kap rob nga ushtarakët e Gardës Kombëtare të Ukrainës.

“Unë i njoh dhe i pranoj krimet monstruoze të kryera nga unë. Dua t’i kërkoj falje të gjithë popullit ukrainas për fatkeqësinë që i sollëm. Unë premtoj të bëj çdo përpjekje për të siguruar që kjo luftë të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur”, përmbylli deklaratën piloti rus.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore