Kosova

Deputetja gjermane e “Die Linke”-s e quan Kosovën “shtet artificial”


Përfaqësuesja e shtetit të Hamburgut në Bundestagun Gjerman, Zaklin Nastiç,

Përfaqësuesja e shtetit të Hamburgut në Bundestagun Gjerman, Zaklin Nastiç, të enjten ka mbajtur një fjalim kundër Kosovës.

Ajo ka gjetur mbështetje edhe te disa kolegë të saj, të cilat në një pjesë të fjalimit filluan ta duartrokasin.

Nastiç, Kosovën e ka konsideruar si “shtet artificial”, dhe “bastion i terroristëve të ISIS-it në Evropë”.

“Rezultati 22 vjeçar i vendosjes ushtarake, që filloi nga një agresion luftarak që dhunoi ligjin ndërkombëtar, nga qeveria gjermane e atëhershme dhe NATO, krijoi shtetin artificial të Kosovës duke shkelur rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara”, tha, pos tjerash, ajo.

“Kosova nuk ka ndonjë industri të vetën, por ka gati 47 për qind të të rinjve të papunësuar. Kosova është një bastion i terroristëve të ISIS në mes të Evropës”.

Deputetja e partisë së majtë në Gjermani, ka kërkuar ndërprerjen e misionit të KFOR-it dhe “çarmatimin e Kosovës”.

Ajo ka folur edhe për ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, duke e konsideruar si “kriminel lufte”.

“Në vitin 2010, Këshilli i Evropës deklaroi se anëtarët kryesorë të UÇK-së, mbi të gjitha Thaçi, ishin të përfshirë në trafik organesh përveç vrasjeve dhe torturave” ka thënë Nastiç.

Gjermanja, fjalimin e saj kundrejt Kosovës e kishte nisur duke e bërë krahasimin e bombardimeve të NATO-s me mizorin e Hitlerit gjatë luftës së dytë botërore.

Nastiç është deputete e partisë “Die Linke”, që përfaqëson ekstremin e majtë në Gjermani. Kjo parti në zgjedhjet e fundit federale mori 8.6 për qind të votës popullore, duke u renditur partia e pestë në nivel nacional.

Në Bundestag, parlamentin gjerman, Die Linke ka 64 ulëse nga 598 gjithsejtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore