Lajme

Deputetja Deliu-Kodra sqaron deklaratën e saj për familjarin e ministres Haxhiu


Deputetja Blerta Deliu-Kodra

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu–Kodra, ka reaguar disa orë pas debatit që ka zhvilluar në Kuvend në seancë plenare me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu të premten e 19 nëntorit.

Ajo ka thënë se pa qëllim e ka cilësuar një rast që ndërlidh atë me familjarët e saj.

Deputetja Deliu-Kodra përmes një postimi në Facebook ka dhënë shpjegimet e saja se kur ka folur nuk e ka thënë e as menduar se ata janë “terroristë”.

Ajo ka akuzuar pozitën duke thënë se “Ky pushtet arrogant për nga natyra, tashmë ka marrë formë edhe përmbajtje të hapur, me sulme e shpifje, si mënyra e vetme për t’iu shmangur ballafaqimit të njëmend me fakte e argumente, pikërisht si mënyrë për të amnistuar dështimet dhe paaftësinë”.

“Në rrethana të këtij diskursi të nxitur nga pushteti, duke u ballafaquar me shpifjet e Ministres Haxhiu, kam cilësuar pa qëllim një rast që ndërlidhë Ministren Haxhiu me familjarë të saj, të cilët nga një entitet i huaj juridik janë akuzuar gjoja për terrorizëm. As nuk kam thënë e as nuk kam menduar dhe as nuk besoj që ata janë “terroristë””, ka shkruar ajo.

Deliu-Kodra ka shprehur keqardhjen për deklarimin e saj, duke thënë mund të ketë lënduar personat në fjalë, familjet e tyre apo çdo kënd tjetër.

“Ndjej vërtetë keqardhje, që kjo deklaratë e thënë në kontekst të ballafaqimit me shpifjet e Ministres Haxhiu, të mund të ketë lënduar personat në fjalë, familjet e tyre apo çdo kënd tjetër në çfarëdo forme, dhe keqardhja ime është e sinqertë”, ka shkruar ajo ndër të tjera në postimin e ajo.

Përplasje e akuza mes Haxhiut e Deliu-Kodrës për punësimet familjare

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, diskutoi edhe për punësimet familjare ajo e ka pyetur deputeten e PDK-së Blerta Deliu-Kodra, lidhur me punësimin e motrës së saj në prokurim të Kuvendit dhe vëllait në RTK.

“Nëse flas me gjuhën e Abelard Tahirit atëherë zonja Deliu duhet të të pyes a keni ndikuar në punësimin e motrës tuaj në prokurim të Kuvendit ose vëllain në RTK, ose me ua përmend që dhëndri juaj është arrestuar në OSHP”, deklaroi Haxhiu.

Kundërpërgjigje mori menjëherë nga deputetja Deliu-Kodra, e cila tha se kunati i ministres Haxhiu është i arrestuar për terrorizëm në Maqedoninë e Veriut.

“Një ministre që vjen këtu e flet për akuza e kunati i saj është i arrestuar për terrorizëm në Maqedoni, nuk mund të na japë leksione. Si takoheni ju me një homolog nga Gjermania kur në CV ju shkruan se kunatin e keni të arrestuar për terrorizëm në Maqedoni”, kishte deklaruar Deliu-Kodra.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore