Lajme

Deputeti boshnjak që takoi Kurtin: Deshëm të takoheshim edhe me Vuçiç-in, por ai s’ishte i gatshëm


Albin Kurti dhe Enis Imamoviç

Deputeti boshnjak i Kuvendit të Serbisë, Enis Imamoviç, ka dhënë detaje për takimin që ka pasur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ku kanë biseduar për brengat dhe problemet me të cilat ballafaqohen pakicat dhe përmbajtjen e planit franko-gjerman.

Imamoviç përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, tha se kanë tentuar që të kenë një takim edhe me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, për të diskutuar rreth këtij plani dhe për të drejtat që duhen garantuar pakicave në Serbi, por aktualisht një gjë e tillë s’ka ndodhur akoma.

“Si përfaqësues të boshnjakëve, të gjithë qytetarëve të Sanxhakut dhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës, për ne është e rëndësishme që të zbatohen parimet e marrëveshjes franko-gjermane dhe në zgjidhjen e problemeve të komuniteteve tona në Serbi”.

“Kjo do të thotë se të gjitha të drejtat që serbët në Bosnje-Hercegovinë, apo në Kosovë do t’u garantohen boshnjakëve dhe shqiptarëve në Serbi. Ne do të ritheksojmë edhe një herë gatishmërinë dhe kërkesën për të diskutuar këtë temë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me shpresën se ai do të jetë i gatshëm të dëgjojë pikëpamjet dhe kërkesat tona për këtë çështje”, shtoi ai.

Ndryshe, Shaip Kamberi, Enis Imamoviç, Selma Kuceviç dhe Sulejman Ugljanin, përfaqësues të pakicave etnike në Kuvendin e Serbisë, kanë qëndruar të shtunën për një vizitë në Kosovë ku janë takuar me kryeministrin Kurti, njoftoi të shtunën Zyra e Kryeministrit.

Përfaqësuesit e shqiptarëve dhe boshnjakëve në Serbi kanë kërkuar që të ketë reciprocitet të të drejtave me serbët që jetojnë në Kosovë, të cilët sipas njoftimit për media, kanë shprehur pakënaqësi me statusin e tyre në përgjithësi e posaçërisht në  Novi Pazar, Tutin e Sjenicë në Sanxhak si dhe në Preshevën, Medvegjë e Bujanoc.

Përfaqësuesit e pakicave në Serbi takohen me Kurtin, kërkojnë reciprocitet të të drejtave

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore