Lajme

Dendias pas takimit me Çavusoglu-n: Jemi miq me pikëpamje diametralisht të kundërta


Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, ka dhenë intervistën e parë pas takimit me homologun e tij turk, Mevlut Çavusoglu. Mesazhi kryesor, ka qenë ai i një miqësie ndërmjet qasjeve diametralisht të kundërta.

Për gazetën greke “Parapolitika”, Dendias-i vendosi theksin tek miqësia e tij personale me Çavusoglu-në.

“Në vendin fqinj me ne, ata e dinë shumë mirë se pozicionet tona ndahen nga një vijë e kuqe”, nënvizoi Dendias.

Por, këto qasje sipas tij, duhen riparë. Kjo gjë, mund të ndodhë si pjesë e një programi të kombinuar me vizitën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në Athinë së shpejti.

“Nuk e kemi fshehur kurrë faktin se kemi marrëdhënie miqësore. Është kënaqësi për mua që e prita homologun tim turk në Athinë”, theksoi Dendias. “Gjithsesi, nuk duhet të verbohemi nga kjo gjë. Fakti se jemi miq, nuk mund t’i çtensionojë raportet midis vendeve tona”.

Ministri i Jashtëm grek mësohet se ka hedhur mbi tryezë gjithë aspektet negative të marrëdhënieve me Ankaranë zyrtare.

Dendias është ndalur edhe mbi çështjen e detit me Shqipërinë, e cila ka shkuar tashmë në Gjykatë. Por, i vetmi koment i tij, ka qenë se problemi i delimitimit mbi zonat ekonomike në detin Jon, është përmbyllur në tetor.

Për sa i përket pjesëve teknike, mbi to po punohet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore