Shqipëria

Denaj: 32 mijë të punësuar më shumë se qershori i vitit 2020


Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj ka publikuar një lajm të mirë, i cili thekson se punësimi po i rikthehet ritmeve të qëndrueshme të rritjes, me 32 mijë e 703 të punësuar më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Publikimi i ministres, përmbledh se gjatë muajit qershor numri i të punësuarve ishte 710 mijë e 464.

Skema e nxitjes për rritjen e punësimit

Gjatë muajit janar, ministrja Denaj njoftoi se Agjencia Kombëtare e Punësimit po aplikonte tre skema nxitëse për rritjen e punësimit.

Në një një takim me përfaqësuesit e bizneseve, në Drejtorinë Rajonale të Punësimit dhe Aftësimit, Denaj sqaroi se këto skema stimulojnë me gati 50%, marrëdhënien kontraktuale të punës mes individit dhe punëdhënësit

“Skema e parë dhe skema e dytë, përfshin personat që do të kthehen në tregun e punës, pasi janë larguar nga situata e mbylljes ekonomike. Gjithashtu, kemi një skemë të tretë, ku personat që janë informalë për 12 muaj, u paguhet dhe subvencionohet pjesa e sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore, si punëdhënësit, por edhe punëmarrësit”, shprehej asokohe Denaj.

Raporti i INSTAT

Shkalla e pjesëmarrjes në forcën e punës tek të rinjtë është rritur ndjeshëm në periudhën 2016-2019, ku shifrat flasin jo vetëm për një rritje të përgjithshme, por mbi të gjitha për angazhim të shtuar të vajzave në sektorët e ndryshëm të punës.

Këto janë të dhënat e fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave në Shqipëri, INSTAT.

Në terma të përgjithshëm, pjesëmarrja e të rinjve nga 15-24 vjeç, nga 20.2% në vitin 2016, është rritur në 26.7% në vitin 2019. Në këtë të dhënë nuk janë të përfshirë të rinjtë, të cilët ndjekin studimet.

Një e katërta e të rinjve nuk kryejnë asnjë aktivitet pjesëmarrës. Pra, nuk ndjekin as studimet, as trajnime dhe as shkollë të lartë.

Kjo shifër tërësore ka pësuar ulje në tre vjet. Ndërsa tek meshkujt ka shënuar rritje me 1.4% mos aktivizimi, tek femrat ka shënuar ulje me 2.3%.

Sipas gjinisë, më të papunët janë meshkujt, me 27.8%. Ndër femrat, 26.3% janë të papuna, për një mesatare prej 27.2% të të rinjve, të cilët janë të papunë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore