Lajme

Deliu i drejtohet Presidentes Vjosa Osmani: “Dil kundërshtoje shtrenjtimin e rrymës”


Deputetja nga rradhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu dhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Deputetja nga rradhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka reguar ndaj Presidentes, Vjosa Osmanit, të cilës i ka rekomanduar “ta kundërshtojë shtrenjtimin e rrymës” dhe “të veprojë e pavarur nga Kryeministri, Albin Kurti”.

“Sot është dita e fundit që Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të dalë dhe të mbrojë interesin e qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Deliu në Facebook.

“Presidenti, vepro e pavarur nga Kryeministri Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje. Dil dhe mbroje interesin e qytetarëve të Kosovës”.

Ajo e ka ritheksuar mosreagimin e presidentes në temën e shtrenjtimit të rrymës të propozuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji.

“Presidente, mos rri në rrugën e Kryeministrit Kurti. Paralajmërimi i tij se nuk ka zgjidhje tjetër përveç shtrenjtimit të energjisë elektrike nuk duhet të vlejë si parashkrim i qëndrimit tënd”, ka përfunduar ajo.

Presidentja e vendit nuk është deklaruar rreth debatit më të madh të kohëve të fundit, atë të shtrenjtimit të rrymës të propozuar nga ZRrE, gjë e cila zgjoi debat të ashpër parlamentar dhe protesta qytetare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore