Kosova

Deklarata e Macron për vizat, MPJ: S’kemi pranuar asnjë vendim zyrtar, s’jemi në dijeni që një procedurë e tillë është kërkuar apo nisur


Ilustrim

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës nuk ka pranuar asnjë vendim zyrtar për çështjen e liberalizimit të vizave.

Kështu të paktën ka bërë të ditur Zyra për Media e MPJ-së kosovare për Albanian Post duke komentuar deklaratën e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, për çështjen e liberalizimit të vizave, deklaratë kjo e cila sipas MPJ-së mund të jetë interpretuar gabimisht.

Dikasteri e drejtuar nga Donika Gërvalla thotë ndër të tjera se nuk ka asnjë informacion që ndonjë procedurë për shtyrjen apo pezullimin e liberalizimit të vizave për kosovarët është kërkuar apo nisur.

“Vendimet për miratim, pezullim apo shtyrje të liberalizimit të vizave merren në nivel të Bashkimit Evropian, e jo të shteteve anëtare. Procedurat e tilla i kanë afatet e caktuara kohore dhe vendimet merren me shumicën e paraparë të votave. Nuk kemi asnjë informacion që një procedurë e tillë të jetë kërkuar apo nisur lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së për Albanian Post.

Një përkthim jo fort i qartë nga përkthyesja simultane në konferencën e përbashkët të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, krijoji përshtypjen që Franca ka vendosur në mënyrë të një anshme t’ia vendos një stop procesit të liberalizimit të vizave të Kosovës, që pritet të filloi me 1 janar të vitit 2024.

Megjithatë, në citatin e shkruar zyrtar nga Agjencia Franceze e Lajmeve kuptohet se Macron nuk po njofton pezullim për procesin e liberalizimit të vizave, por po flet për vendimin e Francës që si shtet që mban fjalën pezulloi vizat për Kosovën.

“Dua ta them një gjë me shumë qartësi. Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, ato [vizat] janë hequr sepse ne respektojmë fjalën e dhënë”, deklaroi Macron.

Por, nuk është e gjitha një deklaratë pozitive.

Macron shtoi se “sot, fjala nuk po mbahet”, duke lënë të nënkuptohet se meqë fjala nuk po mbahet nga Kosova për të bërë punën e vetë, që është themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe zbatimi i pikave të marrëveshjes së Brukselit, atëherë gjërat mund të përmbysen.

Prandaj, Macron tha se “pres një angazhim real nga këto dy autoritete [Kosova dhe Serbia] që të ecin përpara në javët e ardhshme. Ky është vetë kushti për paqe në gjithë rajonin”.

Një qartësim shtesë për situatën e ka bërë edhe zyra e Macron në një prononcim të shkurtër për ABC News Albania.

Aty thuhet se “presidenti ka folur për tensionet mes Serbisë dhe Kosovës. Ai tha se cilat ishin kërkesat tona. Në këtë kontekst dhe duke marrë parasysh bllokadën e Prishtinës, presidenti vlerësoi se çështja e liberalizimit të vizave mbetet e hapur”.

“Për më tepër, është një proces teknik dhe një diskutim që duhet bërë me partnerët tanë evropianë”, thuhet në këtë reagim të zyrës së Macron.

Macron “mban pezull” të drejtën e Kosovës për lëvizjen e lirë – Skenarët kur mekanizmi i pezullimit të vizave mund të aktivizohet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore