Lajme

DASH: Nuk komentojmë mos-ftesën e disa vendeve në Samitin e Demokracisë


Ndërtesa e Departamentit amerikan të Shtetit.

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH), ka deklaruar se nuk “komenton çështjet e brendshme pse disa vende nuk janë ftuar”, në Samitin për Demokraci.

“Presidenti Biden është zotuar të jetë nikoqir i Samitit të Demokracisë për të forcuar angazhimin tonë për pozicionimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në zemër të politikës së jashtme të SHBA-së”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, raporton Zëri i Amerikës (VOA) në gjuhën serbe.

Për ngjarjen e cila është paraparë të mbahen më nëntë dhe 10 dhjetor të këtij viti, ende nuk është publikuar ndonjë listë zyrtare e vendeve që do të jenë pjesë e këtij Samiti.

Samiti i Demokracisë – pa Kosovën, Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinë

Megjithatë, media amerikane Politico ka njoftuar se Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë ftuar nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, për dallim nga , Kosova, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Sipas Politico, ideja e Samitit lidhet me kërkesat zyrtare të administratës Biden, për angazhimet që SHBA mund të kërkonte nga vendet e ndryshme të ftuara në mbledhje.

Ai dokument përfshin një sërë angazhimesh të mundshme që bien nën tre temat kryesore të samitit: Luftimi i Korrupsionit, Luftimi i Autoritarizmit dhe Avancimi i Drejtave të Njeriut.

Ndërkaq, një grup i organizatave joqeveritare nga Kosova, ka kërkuar përmes një letre që, Shtetet e Bashkuara të shqyrtojnë thirrjen e Kosovës për të marrë pjesë në Samitin për Demokraci.

Albanian Post, ka siguruar letrën nga përfaqësuesit e shoqërisë civile, e cila i është dërguar Zëvendës ndihmës-sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh të dërguarit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Koordinatores për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Shanthi Kalathil.

Letra e organizatave joqeveritare nga Kosova drejt autoriteteve amerikane.

Në këtë letër janë dhënë arsyet e tyre pse Kosova do të duhej të ishte pjesë e kësaj iniciative.

Ndërkohë, ekziston ende mundësia që Kosova të jetë pjesë e këtij Samiti.

Kështu ka shpjeguar për Albanian Post, eksperti amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alon Ben Meir.

Alon Ben Meir, ekspert amerikan për Ballkanin Perëndimor

Duke pasur parasysh afrinë e Presidentit të SHBA-së, Joe Biden me Kosovën, departamenti i shtetit mund të shqyrtojë ende ftesën e Kosovës për të marrë pjesë.

“Thënë kështu, lista e plotë e qeverive të ftuara nuk është bërë publike, dhe ka një shans të vogël që vende të tjera të mund të ftohen ende, sepse pjesa më e madhe e agjendës së Samitit është ende provë”, deklaroi eksperti Ben Meir.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore