Përballje

Dardanët vazhdojnë përgatitjet për duelin me Suedinë, flasin Shala e Hadërgjonaj


Kombëtarja e Kosovës në futboll, ka vazhduar përgaditjet për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës, ku fillimisht do të ballafaqohet me Suedinë më 9 tetor, ndërsa tri ditë më vonë do të pres në stadiumin “Fadil Vokrri” Gjeorgjinë.

Dardanët mbajtën seancën e radhës stërvitore në Kompleksin e Federatës së Futbollit të Kosovës në Hajvali, ku përzgjedhësi, Bernard Challandes dhe stafi i tij punuan në taktika të shumta të lojës.

Edhe në këtë stërvitje djelmoshat dardanë punuan me përkushtim të madh, derisa humori i tyre si zakonisht është në nivel.

Gëzon fakti që të gjithë futbollistët janë në gjendje të mirë dhe të gatshëm për duelin me suedezët, gjë të cilën e shprehën pas stërvitjes në deklaratat e tyre edhe Herolind Shala dhe Florent Hadërgjonaj.

“Sot kemi punuar me intensitet shumë të madh dhe po përgatitemi maksimalisht për ndeshjen. Atmosfera në kombëtare gjithmonë është shumë e mirë dhe të gjithë jemi të kënaqur dhe po e presim me padurim ndeshjen me Suedinë”, tha Herolind Shala.

Shala më tutje shtoi se kundërshtari i 9 tetorit do të jetë i vështirë për t’u mundur, por Kosova mund t’i befasojë ata me ndihmën e përkrahjes së tifozëve dardanë, të cilët pritet të jenë një numër i madh në Suedi.

“Suedia është një ekip me shumë cilësi, por mendoj se mund t’i befasojmë dhe kemi mundësi të marrim pikë. E dimë se Dardanët gjithmonë i kemi mbrapa vetes dhe shpresoj të vijnë sa më shumë dhe besoj se do t’i bëjmë krenarë”, shtoi Shala.

Ndërkaq, Hadërgjonaj ka thënë se i njohin cilësitë e suedezëve, por si në çdo ndeshje tjetër hyjnë për fitore.

“Besoj se tri ndeshjet e shtatorit kanë qenë shumë të mira dhe kemi bërë hapa përpara. Veten po e ndjej mirë dhe shpresoj se i gjithë ekipi do të vazhdojmë me paraqitje të mira”, tha Florent Hadërgjonaj.

“Të shtunën presim fitore si gjithmonë dhe po përgatitemi bukur mirë për këtë ndeshje. E dimë se çka na pret në Suedi, sepse kanë kualitet, por e njohim si kundërshtar”, shtoi ai.

Stërvitjen e radhës ekipi kombëtar i Kosovës do ta zhvillojë të enjten me fillim në ora 12:00.

Kujtojmë që Kosova momentalisht pozicionohet në vendin e katërt të Grupit B, me katër pikë të grumbulluara, derisa pas tyre gjendet Gjeorgjia me vetëm një pikë.

Ndërsa grupit momentalisht i prinë Spanja me 13 pikë në gjashtë ndeshje të zhvilluara, kurse pas tyre gjendet Suedia me nëntë, me katër ndeshje të zhvilluara dhe Greqia me gjashtë në po aq ndeshje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore