Lajme

Putini betohet në mandatin e tij të pestë si president


Presidenti rus, Vladimir Putin, u betua në ceremoninë e inaugurimit në Kremlin për mandatin e tij të pestë në detyrë.

“Rusia nuk e refuzon dialogun me vendet perëndimore, zgjedhja u takon atyre”, tha presidenti në fjalën e tij.

Është “një periudhë e vështirë” që po kalon Rusia, por “së bashku do ta kalojmë me dinjitet dhe do të bëhemi edhe më të fortë”.

Me luftën e Rusisë kundër Ukrainës në vitin e saj të tretë, Putini nuk po tregon shenja se, dëshiron të devijojë nga rruga e tij aktuale e shkatërrimit kundër Kievit, represionit në vend dhe antagonizmit ndaj Perëndimit.

Qëllimi kryesor për Putinin është të prodhojë më shumë armë, të mbajë ekonominë të qëndrueshme, ta mbrojë atë nga sanksionet dhe të synojë inflacionin.

Sipas Nikolai Petrov, një konsulent në Chatham House, tradicionalisht, Putin ka gërshetuar dy modele qeverisjeje.

Nga njëra anë, ai është mbështetur në një gardë të vjetër miqsh dhe të njohurish të besuar, si ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, ky i fundit ka mbajtur postin e tij për dy dekada.

Nga ana tjetër, ai është mbështetur tek teknokratët besnikë si kryeministri, Mikhail Mishustin, dhe shefja e Bankës Qendrore të Rusisë, Elvira Nabiullina, për të mbajtur në këmbë ekonominë e vendit.

Por kjo mënyrë e të bërit të gjërave duket gjithnjë e më e paqëndrueshme, me disa nga pasardhësit më të besuar të Putinit që janë afër ose në të shtatëdhjetat e tyre.

Këtu përfshihen Lavrov, 74 vjeç dhe Shoigu, 68 vjeç, si dhe skifterët më të lartë të sigurisë së vendit, Alexander Bortnikov, 72 vjeç, Sergei Naryshkin, 69 vjeç dhe Alexander Bastrykin, 70 vjeç.

Putin dominon peizazhin e brendshëm politik.

Në mars, Putin fitoi një fitore dërrmuese në një zgjedhje të kontrolluar fort, ku dy kandidatë kundër luftës u ndaluan për arsye teknike.

Kundërshtari i tij më i njohur, Alexey Navalny, vdiq papritur në një koloni penale të Arktikut dhe kritikët e tjerë kryesorë ose u burgosën ose u detyruan të iknin jashtë vendit.

E veja e Navalny, Yulia Navalnaya, të martën u bëri thirrje mbështetësve që të vazhdojnë luftën kundër Putinit, të cilin ajo e përshkroi si “gënjeshtar, hajdut dhe vrasës”.

Ukraina tha se inaugurimi synonte të krijonte “iluzionin e ligjshmërisë për qëndrimin pothuajse të përjetshëm në pushtet të një personi që e ka kthyer Federatën Ruse në një shtet agresor dhe regjimin në pushtet në një diktaturë”.

5 skenarët pas mandatit të ardhshëm të Putinit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore