Përballje

Dallku e Curri kërkojnë 100-përqindëshin nga kuqezinjtë për ta mposhtur Poloninë


Debatik Curri dhe Armend Dallku

“Emocionet janë të mëdha. Po të isha ende lojtar në këtë ndeshje, do të jepja më shumë se 100-përqindëshin, çka nuk dyshoj se do ta bëjnë edhe lojtarët aktualë të kombëtares”.

Kështu ka thënë për Albanian Post, ish-lojtari i Kombëtares së Shqipërisë, Debatik Curri, i cili është pyetur për ndeshjen vendimtare kundër Polonisë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Katari 2022”, që do të zhvillohet këtë martë, në stadiumin “Air Albania”, në Tiranë, në ora 20:45.

Ish-qendërmbrojtësi kuqezi kërkon me ngulm fitoren e Shqipërisë, pasi sipas tij, “për ta mbajtur ëndrrën gjallë, duhet patjetër të fitojmë ndaj Polonisë”.

“Është ndeshja më e rëndësishme në histori të kombëtares shqiptare, me një fitore eventuale rritën gjasat për kualifikim”, tha Curri.

“Mendoj se me disa vertikalizime, si ndeshjet e kaluara, mund ta ‘mbysim’ ndeshjen, pasi kemi lojtarë shumë të shpejtë, siç është shembull Broja në fazën ofensive”.

Debatik Curri dhe Zlatan Ibrahimoviç

Ai i sheh si përparësi të Shqipërisë, përkrahjen e tifozëve, por edhe kundërsulmet e shpejta.

Megjithatë, sipas Currit, “mungesë shumë e madhe për kombëtaren tonë është mungesa e mbrojtësit Berat Gjimshiti, por besoj që do të zëvendësohet në mënyrën më të mirë”.

Edhe ish-lojtari i Kombëtares shqiptare, bashkëlojtar me Currin, kosovari tjetër Armend Dallku, e pret një fitore të Shqipërisë, por për këtë sqaron se duhet shumë angazhim.

Ai thekson se “për mua është emocion i veçantë, pasi për disa vite kam qenë vetë pjesë e kombëtares kuqezi”.

“Normal që presim fitoren e Kombëtares së Shqipërisë, si në çdo ndeshje”, thekson Dallku për Albanian Post.

“Kjo fitore është e domosdoshme për ta mbajtur ëndrrën gjallë, për t’u kualifikuar për herë të parë në Kampionat Botëror”.

Por, Dallku nënvizon se djelmoshat e Edi Rejës duhet të jenë shumë të kujdesshëm në fazën defensive, pasi ai e sheh Poloninë si skuadër shumë cilësore.

“Duhet të kemi kujdes nga kombëtarja e Polonisë. Ata kanë një ekip shumë cilësor, por nëse lojtarët tanë janë në element, besoj se do ta fitojmë këtë ndeshje ndaj Polonisë”.

Armend Dallku

Shqipëria do të presë Poloninë në stadiumin “Air Albania”, teksa renditet përkatësisht në vendin e dytë të Grupit I, me një pikë më shumë se miqtë.

Vendi i dytë në grupe e dërgon skuadrën në fazën e play-off, së bashku me vendet e dyta më të mira në grupet e tjera kualifikuese në Evropë.

Nëse Shqipëria fiton ndaj Polonisë, diferenca shkon në plus katër pikë, ndërsa i mbeten edhe dy ndeshje për të luajtur.

Përballjet e fundit i ka me Anglinë dhe Andorrën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore