Auto

Daimler: Prodhuesit e makinave mund të përballen me mungesë çipash deri në vitin 2023


Një rritje e kërkesës për çipa gjysmëpërçues nënkupton se industria e automjeteve mund të luftojë për të siguruar mjaft prej tyre gjatë vitit të ardhshëm dhe deri në vitin 2023.

Megjithatë, shefi ekzekutiv i kompanisë Daimler AG është i mendimit se mungesa duhet të jetë më e paktë deri në atë moment.

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se prodhuesit e makinave, të detyruar nga pandemia për të mbyllur fabrikat vitin e kaluar, u përballen me një konkurrencë të ashpër nga industria e gjerë elektronike e konsumit për dërgesat e çipave, të goditur nga një seri ndërprerjesh të zinxhirit të furnizimit.

Duket se varësia e makinave ndaj çipave gjysmëpërçues thellohet gjithnjë e më shumë, kjo pasi domosdoshmëria e tyre nis që nga menaxhimi i kompjuterit të motorëve për një kursim më të mirë të karburantit deri te veçoritë e ndihmës së shoferit, siç është frenimi emergjent.

“Disa furnizues të çipave u janë referuar problemeve strukturore me kërkesën”, ka treguar Ola Källenius gjatë një tryeze të rrumbullakët me praninë e gazetarëve përpara shfaqjes së veturave IAA në Mynih. “Kjo mund të ndikojë në vitin 2022 dhe situata mund të jetë më e qetë në 2023-shin”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, shfaqja IAA konsiderohet si ngjarja e parë kryesore e industrisë motorike në të gjithë botën që nga pandemia COVID-19.

Javën e kaluar, Daimler-i ka deklaruar se priste dukshëm shitje më të ulëta në tremujorin e tretë në njësinë e vet Mercedes për shkak të mungesës globale të gjysmëpërçuesve, duke u bërë i fundit në një varg prodhuesish automjetesh që u janë goditur të ardhurat.

Duke nisur nga grupi amerikan General Motors në Mahindra të Indisë dhe Toyota e Japonisë, prodhuesit e automjeteve e kanë rrudhur prodhimin dhe parashikimet e shitjeve për shkak të furnizimeve të pakta të çipave, të përkeqësuar nga një ringjallje e COVID-19 në qendrat aziatike të prodhimit të gjysmëpërçuesve.

Mirëpo, Källenius ka thënë se pavarësisht mungesës së vazhdueshme të çipave, prodhuesi gjerman i makinave shpreson që furnizimi i tij me gjysmëpërçues do të përmirësohet në tremujorin e katërt.

Dhe si pjesë e planeve për të elektrizuar gamën e modeleve, Mercedes-Benz do të shfaqë disa automjete plotësisht elektrike në shfaqjen e Mynih-ut.

“Reuters” tregon se këto do të përfshijnë premierat globale për EQE, e para plotësisht elektrike për markën AMG të performancës së lartë të prodhuesit të makinave premium dhe një makinë koncept për markën e vet luksoze, Maybach.

Gjithashtu kompania do të prezantojë një SUV plotësisht elektrik të quajtur, EQB, në tregun evropian.

Në muajin korrik, Daimler-i ka zbuluar se do të shpenzonte më shumë se 40 miliardë euro deri në vitin 2030 për të marrë Tesla-n në një treg krejtësisht elektrik, por ka paralajmëruar se ndryshimi i teknologjisë do të çonte në shkurtimin e vendeve të punës.

Teksa ka shpërfaqur strategjinë drejt një të ardhmeje elektrike, prodhuesi gjerman i makinave ka treguar se do të ndërtojë tetë fabrika baterish dhe se do të rrisë prodhimin e automjeteve elektrike.

Dhe se prej vitit 2025, të gjitha platformat e reja të automjeteve do të prodhojnë vetëm makina elektrike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore