Kosova

Daçiç: Kosova s’mund ta padisë Serbinë për gjenocid


Kryetari i Parlamentit të Serbisë, Ivica Daçiç

Kryetari i Parlamentit të Serbisë, Ivica Daçiç në një intervistë për Deutsche Welle ka folur për dialogun, njohjen e pavarësisë së Kosovës, krimet, përdhunimet, gjenocidin në Bonjë e Hercegovinë e tema të tjera.

Ai ka komentuar edhe aktakuzën e paralajmëruar nga Qeveria e Kosovës për gjenocid kundër Serbisë. Daçiç, theksoi se ligjërisht një aktakuzë e tillë është e pamundur.

“Unë mendoj se, së pari, kjo është ligjërisht e pamundur. Kosova nuk mund të paraqitet si paditëse, sepse nuk është shtet i njohur ndërkombëtarisht”.

“As në atë kohë nuk ka qenë shtet i njohur ndërkombëtarisht. Por në përgjithësi, nuk e di çfarë mund të sjellin ide të tilla, sepse këtu secili mund të paditë dikë tjetër për diçka”, tha Daçiç.

Ndërsa sa i përket ndarjes së Kosovës, ai tha se të gjithë duhet të jenë pjesë e marrëveshjes edhe pse kur flitet për Kosovën, mendohet vetëm në njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Tani kemi një situatë, që kur flitet për Kosovën mendohet vetëm në njohjen e pavarësisë së Kosovës. Por nuk duhet të jetë kështu. A ka dikush që propozon ndonjë zgjidhje që do të përfaqësonte një kompromis të interesave si serbe ashtu edhe shqiptare. Tani për tani, askush nuk dëshiron të merret me këtë, askush nuk dëshiron të marrë përgjegjësi. E kjo ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve. E di sepse edhe vet kam marrë pjesë në dialog, kur ishte në vitin 2012 dhe 2013…”.

Kur u pyet se a do ta njoh Serbia, Kosovën si shtet në një moment, Daçiç u shpreh se gjithçka që përfshinë interesat e të dy palëve duhet të jetë e pranueshme.

“Ne nuk do të njohim asnjë zgjidhje të njëanshme. Thjesht duam të flasim, të vazhdojmë dialogun. E përsëris edhe një herë: për mua është e pranueshme gjithçka që nënkupton ndonjë kompromis që përfshinë interesat e të dy palëve”.

Për Dialogun Kosovë-Serbi i cili ka filluar në tetor të vitit 2012, kurse marrëveshja është nënshkruar në vitin 2013, Daçiç deklaron se në dokumentet e Bashkimit Evropian ka edhe disa gjëra të trilluara.

“Po, por në dokumentet e BE më pas janë futur edhe disa gjëra që i ka trilluar Stefan Füle, i cili ka qenë komisionari i BE për zgjerimin. Ai e ka zbuluar këtë termin  – siç thuhet – “marrëveshje juridikisht e obligueshme për normalizimin e raporteve“. Më kujtohet që pikërisht unë e kam pyetur: Çfarë do të thotë kjo?”

Gjatë dhjetë vjetëve të dialogut Kosovë-Serbi, besohet se janë arritur mbi 30 marrëveshje, ndonëse autoritetet në Prishtinë dhe në Beogradi, flasin me shifra të ndryshme për këto marrëveshje.

Në mesin e marrëveshjeve të arritura është edhe ajo për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për formimin e së cilës, tashmë ekziston kontesti ndërmjet vetë palëve që e kanë arritur atë.

Bashkimi Evropian synon të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse në të cilën do të zgjidheshin të gjitha çështjet mes dy vendeve.

Me 15 qershor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç zhvilluan takimin e parë për të diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore