Lajme

Çka është marrëveshja me MCC dhe si do ta ndihmojë Kosovën? – Një shpjegim i thjeshtë


Nenshkrimi i Marreveshjes me MCC-ne

Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit është asistencë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shtetet tjera, por që është e pavarur nga politikat qeveritare amerikane.

Është krijuar në janar të vitit 2004 nga Kongresi Amerikan me mbështetje të fuqishme të dyja partive politike. MCC provon të gjejë mënyra kreative se si të ndihmojë vendet dhe të asistojë ato përmes fondeve të qeverisë amerikane.

Fokusohet kryesisht në politika të mirëqenës, duke dhuruar grante për rritje ekonomike, zvogëlim të varfërisë dhe forcim të institucioneve.

MMC e projekton vetën jo vetëm si një organizatë që ndihmon shtetet tjera, por edhe si një investim amerikan në krijimin, apo forcimin e raporteve të Amerikës me vendet e tjera të botës.

Kuvendi i Kosovës miraton marrëveshjen me MCC-në

Marrëveshja e “Kompaktit” me Kosovën

MCC ka nënshkruar marrëveshje me Qeverinë e Kosovës në vlerë prej 202 milionë dollarë/euro që do jenë ndihmë nga programi, derisa Kosova do të kontribuojë me 34 milionë dollarë/euro.

Programi ka tri pika kryesore.

Ruajtja e Energjisë – Projekti i Ruajtjes së Energjisë ka për qëllim të krijojë siguri energjetike, të zvogëlojë çmimet e energjisë dhe të lehtësojë një tranzicion drejt energjisë së pastër në të ardhmen, duke investuar në një sistem të ruajtjes së energjisë prej 350 megavatesh, që mund të ndihmojë në mbushjen e zbrazëtirave energjetike për periudha të gjata.

Kjo sidomos në raste kur, sikur vitin e kaluar, ka lëvizje të mëdha në tregjet energjetike të çmimeve të energjisë.

Programi mbështetë pikërisht ndërtimin e kapaciteteve teknike dhe administrative që mbështetën nga reformat institucionale dhe politike. Pjesë e kësaj pike është edhe promovimi i punësimit dhe ndërmarrësisë, veçanërisht për gratë në këtë sektorë.

Edukim për energjinë dhe trajnim për të gjithë – Projekti i Përshpejtimit të Tranzicionit të Drejtë dhe të Duhur do të etablojë programe të reja që mësojnë punëtorët për teknikat e reja në sektorin e energjisë dhe sektorë të tjerë ndërlidhës. Brenda programit është edhe edukimi për praktika të barazisë gjinore brenda sektorit të energjisë. Gjithashtu, jepet asistenca teknike për të ndihmuar që të rritet prezenca e grave në sektorin energjisë dhe në kompanitë energjetike në Kosovë.

Kjo do të bëhet edhe duke mbështetur këto kompani me trajnime dhe monitorimin e dhënies së mundësive për gratë.

Qëndrueshmëria e Sektorit Privat – Projekti i Katalizatorit Amerikan për Zhvillim do të tentojë të promovojë investime shtesë në sektorin privat të energjisë në Kosovë në bashkëpumnim me Korporaten amerikane për Zhvillim, duke ndihmuar fondet nga MCC dhe duke zgjeruar participimin e sektorit privat në investimet për energji të qëndrueshme.

MCC marrëveshje të tilla ka nënshkruar me shumë shtete të tjera në zhvillim, siç ishte marrëveshja e Kompaktit me Ganën muajin e kaluar me vlerë prej 316 milionë dollarësh. Programi kishte filluar në vitin 2016 dhe u mbyll me nënshkrim në vitin 2022.

Edhe Kosova marrëveshjen e ka filluar me 12 shtator të vitit 2017, kur në SHBA, ish-presidenti Hashim Thai kishte nënshkruar gatë vizitës në Uashington grantin e parë prej 49 milionë dollarësh.

MCC ka marrëveshje të Kompaktit me shtete më të varfëra si Vanatu, Zambia, Tanzania, Timori Linor, Shri Lanka, Malavi, Kiribati e shumë shtete të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore