Lajme

Kuvendi i Kosovës miraton marrëveshjen me MCC-në


Ilustrim

Më 89 vota pro, Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen mes Kosovës dhe MCC-së, e cila u nënshkrua të mërkurën në Uashington.

Marrëveshja në fjalë si rrallë herë ka bërë bashkë partitë nga pozita dhe opozita, kështu atë nuk e ka kundërshtuar asnjë deputetë.

Ndryshe me një ceremoni solemne është nënshkruar marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Korporatës amerikane Sfidat e Mijëvjeçarit në fushën e energjetikës.

Marrëveshjen në fjalë në emër të Kosovës e ka nënshkruar ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Ndërsa kryeshefja ekzekutive e MCC-së, Alice Albright ka qenë nënshkruesja në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kosova me këtë marrëveshje pritet të përfitojë një grant prej 202 milionë dollarësh në fushën e energjetikës.

Para nënshkrimit të marrëveshjes kryeshefja e MCC-së, Albright, në fjalimin e saj ka bërë të ditur se marrëveshja në fjalë do të sjellë dobi për miliona njerëz.

“SHBA ka lidhje të thellë me Kosovën. Shumë kanë punuar për këtë marrëveshje, dua të falënderoj ekipin. Që nga viti 2004, MCC ka punuar me shumë vende, duke investuar miliarda dollarë për shumë programe e shtete”, ka thënë ajo.

Pas Albright, fjalim ka mbajtur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një prej sallave të Kongresit Amerikan, ku nga këtu ka deklaruar se Kosova është krenare që e ka SHBA-në pranë saj.

Për Osmanin investimi në fjalë, do të jetë trashëgimia më e mirë për gjeneratat e ardhshme të Kosovës

Osmani, tutje ka shtuar se këto investime, do të jenë trashëgimia më e mirë e gjeneratave të ardhshme të Kosovës.

“SHBA po na ndihmon edhe më tutje për ekonomi me këtë marrëveshje, duke qëndruar pranë nesh dhe për të parë këtë sukses të veçantë, që ne të arrijmë edhe më shumë gjatë viteve në vazhdim. Duke parë sfidat e tranzicionit të energjisë, duke formuar vende pune, por edhe siguria e energjisë është një çështje e rëndësishme”, ka thënë Osmani.

Marrëveshja e arritur ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve

Përmes kësaj marrëveshjeje Kosova do të fitojë një grant në vlerë prej 202 milionë dollarësh. Shuma totale e marrëveshjes kap shifrën e 236 milionë dollarëve, ku pjesën tjetër të kësaj shume do ta paguajë Qeveria e Kosovës.

Programi kompakt në kuadër të kësaj marrëveshjeje do të përfshijë tri projekte, bënë të ditur zyra e kryeministrit.

E para krijimi i rezervave dhe arbitrazh të energjisë prej 340 megavatëorë, e dyta zhvillimi i fuqisë punëtore, me theks të veçantë në përfshirjen e grave në sektor të energjisë si dhe Projektin e Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim, i cili ka për qëllim të nxisë financimin e sektorit privat nga Korporata Financiare e Zhvillimit Ndërkombëtar (DFC) të Shteteve të Bashkuara në Kosovë.

Për Albin Kurti, kryeministrin e Kosovës, Programi Kompakt do të jetë gurthemeli i tranzicionit të gjelbër dhe do t’i kontribuojë sigurisë energjetike në vend.

Kurti, duke u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se kur do të fillojë zbatimi i marrëveshjes në fjalë, kishte deklaruar se sa më shpejtë që është e mundur.

“Sa më shpejtë që të mundemi do të ecim përpara, meqenëse kriza energjetike nuk do të shuhet”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore