Sport

Challandes: Ndeshja ndaj Spanjës ishte më e mira prej që jam trajner i Kosovës


Përzgjedhësi i kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, ka thënë se ndeshja ndaj Spanjës, ka qenë më e mira ndonjëherë, që prej se ai është në krye të ekipit kombëtar të Kosovës.

“Për mendimin tim, ndeshja ndaj Spanjës është ndeshja më e mirë e mirë që prej kohës sa jam selektor i Kosovës. Kemi zhvilluar një ndeshje ndaj një prej skuadrave më të mira në botë, por kemi kontrolluar mirë topin dhe kemi krijuar shumë raste ndaj tyre”,theksoi Bernard Challandes në konferencën për media.

“Rastet i kemi humbur dhe kjo ishte zhgënjyese që më vjen keq. Spanja ka humbur nga Suedia, por në bazë te rasteve, Spanja e kishte merituar të fitonte. Sidoqoftë ne kishim raste më shumë sesa Spanja”, shtoi Challandes.

Ai më tutje u ndal duke komentuar ndeshjen e radhës që Kosova do ta zhvillojë përballë Suedisë më 9 tetor në udhëtim, ndeshje kjo që do të zhvillohet në kuadër të kualifikimeve të Kupës së Botës.

“Suedia është skuadër e fortë për kundërshtarët, sidomos kur luan në shtëpi, luan një futboll shumë të fortë, janë të fortë fizikisht dhe ia pamundëson kundërshtarit të luaj lojën e tyre”, tha trajneri i Kosoivës.

“Por ne duhet të gjejmë mundësinë për t’i bërë ballë, duhet të provojmë ta sulmojmë Suedinë dhe të mos i humbim rastet vetëm për vetëm me portierin, duke kërkuar që të zhvillojnë lojën tonë”, shtoi ai.

Tutje trajneri zviceran foli edhe për ardhjen e re te Kosova, Toni Domgjonin, për të cili tha se është i lumtur që ka zgjedhur Kosovën të luajë.

“Është një lojtar i mirë, është mesfushor modern i futboll. Do të thotë është i mirë me topin, por gjithashtu mund të luftojë dhe të jetë i fortë në anën defensive”, tha Challandes.

“Jam shumë i lumtur që e kam një lojtar të tillë dhe shpresoj që Kosova të ketë edhe më shumë lojtarë në të ardhmen. Është e rëndësishme për mua që ka vendosur të luajë për Kosovën. Ka qenë pjesë e U21 të Zvicrës, por në fund vendosi të vijë për Kosovën”, theksoi mes tjerash trajneri zviceran në konferencën për media.

Kujtojmë që Kosova në muajin tetor do t’i zhvillojë dy ndeshje në kualifikimet e Kupës së Botës.

Dardanët fillimisht do të përballen në udhëtim te Suadia, të shtunën në ora 18:00, pastaj tre ditë më vonë e pret Gjeorgjinë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Sa i përket renditjes, Kosova aktualisht mban vendin e parafundit në Grupin B, me katër pikë të grumbulluara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore