Shqipëria

Çfarë thotë draft-raporti i Isabel Santos për Shqipërinë


Pak ditë më parë, Komisioni për Punët e Jashtme në Parlamentin Evropian publikoi draft raportin 25-pikësh të vitit 2022 për Shqipërinë në faqen e saj zyrtare.

Kjo e fundit u përpilua nga raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Isabel Santos.

Draft-raporti mirëpret fillimisht angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për integrimin në BE, duke reflektuar konsensusin mes partive politike dhe mbështetjen e madhe mes qytetarëve.

Komisioni lavdëron gjithashtu solidaritetin dhe harmonizimin e qëndrueshëm dhe të plotë të Shqipërisë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke përfshirë përgjigjen e saj të qartë ndaj luftës së agresionit rus kundër Ukrainës.

Institucioni evropian inkurajon politikë-bërësit sakaq që të përshpejtojnë reformat që mundësuan konferencën e parë ndërqeveritare “të vonuar prej kohësh dhe një fillim të suksesshëm të procesit të shqyrtimit”.

Në të theksohet edhe nxitja që palët të punojnë së bashku drejt përmbushjes së kritereve të anëtarësimit deri në vitin 2030.

Ndërsa përgëzon angazhimin e Shqipërisë për të përfunduar reformën e saj gjithëpërfshirëse në drejtësi, drafti inkurajon vendin tonë që të intensifikojë hapat që synojnë finalizimin e procesit të verifikimit dhe sigurimin e drejtësisë universale nëpërmjet masave ndër-sektoriale.

Draft-raporti i përpiluar nga Santos dënoi konfrontimin politik dhe veprimet përçarëse dhe nënvizoi një përgjegjësi të përbashkët politike dhe sociale për reformat.

Ajo ftoi aktorët politikë të rrisin angazhimin e tyre për dialog dhe për të forcuar institucionet dhe procedurat demokratike përmes angazhimit konstruktiv, konsultimeve gjithëpërfshirëse dhe vendimmarrjeve transparente.

Mes të tjerash, Komisioni u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të adresojnë rekomandimet e jashtëzakonshme për financimin e zgjedhjeve dhe partive, shumë përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025.

Teksa njeh kontributin e shoqërisë së pavarur civile dhe medias në luftën kundër korrupsionit, drafti insiston në financimin adekuat dhe funksionimin efektiv dhe të paanshëm të organeve dhe agjencive të pavarura.

Në pikën e nëntë të draftit të përpiluar nga Santos, shprehet shqetësimi i Komisionit për aspektet e projektligjit për amnistinë fiskale dhe propozimin e shtetësisë sipas skemës së investimeve që janë të papajtueshme me normat e BE-së dhe politikën e saj të vizave.

Komisioni bëri po ashtu thirrje për veprime të vazhdueshme për të reduktuar kërkesat e pabazuara për azil nga shtetasit shqiptarë.

Ai theksoi në vijim të draftit detyrimin e autoriteteve për të garantuar transparencë dhe konkurrencë në prokurimet publike, kontratat qeveritare, privatizimin, ndihmën shtetërore dhe procedurat e koncesionit.

Pasi dënoi ndërhyrjet malinje të huaja dhe sulmet hibride në Shqipëri, Komisioni ftoi autoritetet të parandalojnë rrjedhjet e të dhënave duke forcuar ndjeshëm sigurinë kibernetike.

Në kapitullin e lirive themelore dhe të drejtat e njeriut, drafti vuri në dukje hapat ligjorë të ndërmarrë për eliminimin e diskriminimit ndaj minoriteteve dhe bëri thirrje për hapa praktikë për të siguruar përfshirjen e tyre.

Komisioni dënoi përpjekjet për diskreditimin e gazetarëve dhe fshehjen në mënyrë arbitrare të informacionit publik, si dhe mos-garantimin e sigurisë së gazetarëve.

Për këtë, drafti u kërkon autoriteteve të ndërmarrin veprime të menjëhershme kundër ndërhyrjeve politike dhe ekonomike në media dhe frikësimit ndaj gazetarëve.

Institucioni evropian përgëzoi në trupin e draftit të saj, angazhimin konstruktiv të Shqipërisë në nismat gjithëpërfshirëse të bashkëpunimit rajonal dhe ndërkufitar.

Mes të tjerash, Komisioni mirëpriti “përparimin e prekshëm të arritur në kontekstin e Procesit të Berlinit dhe samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë”.

Një vëmendje të shtuar, drafti e pati edhe ndaj nevojës për të përfunduar procesin e de-klasifikimit të dosjeve të epokës komuniste dhe për t’i bërë ato të aksesueshme për studiuesit dhe publikun e gjerë me qëllim që të avancohet drejtësia dhe pajtimi.

Ai mirëpriti hapat e Shqipërisë në përshpejtimin e tranzicionit të energjisë dhe diversifikimit drejt energjisë së erës dhe diellore.

Santos: Shqipëria nis hapjen e kapitujve të parë me BE-në brenda vitit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore