Shqipëria

Santos: Shqipëria nis hapjen e kapitujve të parë me BE-në brenda vitit


Shqipëria do të nisë hapjen e kapitujve të parë të negociatave me Bashkimin Evropian brenda vitit 2023.

Kështu bëri të ditur reporterja për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Isabel Santos, duke cituar intervistën me transmetuesin “TV Klan”.

“Kam një vlerësim pozitiv për mënyrën sesi po ecën procesi ‘screening’. Mendoj që në shtator, i gjithë ky proces do të përmbyllet. Pas kësaj, ne do të jemi në kushtet që të nisim me negociatat zyrtare të dy palëve”, u shpreh fillimisht zyrtarja evropiane.

Sipas saj, në te vërtetë ‘screening’ është një proces shumë burokratik dhe në të njëjtën kohë nuk është i lehtë për t’u përballur.

“Por vendi juaj është duke u përgjigjur mirë dhe shpresoj të vijojë në këtë mënyrë që të vazhdojmë më pas me reformat që kërkohen gjatë hapjes së kapitujve. Jam besimplotë që Shqipëria mund të jetë kryesuese në rajon sa i takon procesit të anëtarësimit. Mendoj se deri në fund të vitit, do të nisë hapja e kapitujve, kjo është një kohë e arsyeshme”, theksoi përfaqësuesja portugeze.

Qeveria shqiptare është deklaruar e vendosur për të ecur përpara me amnistinë penale e fiskale.

Ajo ka nisur një proces komunikimi me ekspertë të Zyrës së BE-së në Tiranë për të përfshirë në draftin final dhe sugjerimet e tyre.

“Aktualisht amnistia penale dhe fiskale është vetëm një projekt, nuk është ende një ligj, s’ka asgjë të përfunduar. Është në fillimet e një procesi ndaj çdo nisme legjislative me rëndësi e me impakt në jetën e vendit, gjatë procesit të negociatave duhet të bëhet në konsultim shumë të ngushtë me BE-në dhe sigurisht duke respektuar standardet evropiane”, shtoi ajo.

Santos u shpreh se do të presë për rezultatet e konsultimeve dhe më pas do të japë opinionin e saj për këtë nismë.

“Unë e di që BE-ja ka vëmendje të veçantë për këtë çështje dhe po presim opinionin final të ekspertëve”, vërejti zyrtarja evropiane.

Santos vlerësoi sakaq qëndrimin e të gjitha partive politike përsa i përket çështjes së integrimit dhe nisur nga ky vlerësim, ajo shprehu besimin se zgjedhjet e ardhshme lokale do të zhvillohen në përputhje me standardet që kërkon demokracia evropiane.

“Unë shoh që të gjitha partitë janë seriozisht të angazhuara që procesi i integrimit të ecë përpara. Ndaj dhe jam besimplotë që këto zgjedhje do të zhvillohen në respektim të plotë të normave që kërkon demokracia”, ravijëzoi në përmbyllje reporterja për Shqipërinë në PE.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore