Lajme

Çfarë po fshihet? – Përse opozita po kërkon me ngulm themelimin e një komisioni hetimor për çështjen e energjisë dhe përse Qeveria po refuzon?


Kuvendi i Kosovës.

Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës nuk do të votojnë asnjë ligj, derisa pushteti të mos e votojë themelimin e një komisioni hetimor për çështjen e energjisë, që është iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës.

I gjithë ky kundërshtim nga pushteti për formimin e një komisioni të tilla, sipas opozitës po vjen për shkak se ka krime të cilat janë duke u fshehur nga partia në pushtet.

Deputeti Hajdar Beqa nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, në një prononcim për Albanian Post, thekson se çështje të tilla nuk janë kundërshtuar në të kaluarën nga partitë që kanë qenë në pushtet.

“Nuk ka qenë praktike në të kaluarën që të pengohen nga mazhoranca formimet e komisionit. Është e garantuar me rregullore, është e garantuar me Ligjin për Hetimin Parlamentar dhe është e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, deklaroi Beqa për AP.

Sipas tij reagime të tilla nga Lëvizja Vetëvendosje sjellin konfuzion tek të gjithë.

“Realisht ky paniku dhe sjellja e Qeverisë Kurti është e pakuptimtë dhe e papranueshme. Nuk e di se çfarë po mundohen të fshehin nga qytetarët. Ne kemi kërkuar që të dimë veprimet dhe mosveprimet e akterëve, në këtë rast institucioneve gjegjëse për shtrenjtimin e energjisë elektrike, për shitjen e energjisë elektrike që ka ndodhur në kohë krize dhe normal që gama e komisionit është duke u zgjeruar edhe për aferat e fundit punësimet e familjarëve të zyrtarëve të lartë”.

Kuvendi i Kosovës.

Shoqëria civile kërkon formimin e komisioneve edhe për rritjen e çmimeve të tjera

Nga shoqëria civile vlerësojnë që përveç komisionit për energjinë elektrike, duhet të formohen edhe komisione për rritjen e çmimeve në përgjithësi.

Kështu pohon Erblin Hoxha nga Lëvizja FOL në një bisedë për Albanian Post.

“Ne mendojmë që një komision për rritjen e çmimeve në përgjithësi është i nevojshëm, mirëpo jo vetëm për krizën energjetike, sepse kriza energjetike ka qenë reflektim direkt i kostos se importit dhe parlamenti do të duhej të krijonte komision hetimor vetëm nëse ka dyshime të bazuar dhe fakte për manipulim me çmime të energjisë”.

Ndër të tjera, për formimin e komisioneve të tjera Hoxha shprehet se do të mund të krijohej një qartësi tek qytetarët.

“Një komision hetimor për rritjen e çmimeve do të sillte deri dikund qartësi, mirëpo për rastin e çmimeve të rrymës, nuk e dimë nëse një komision parlamentar do të mund të sillte informata të reja, në rast se ato informata deri tash nuk kanë qenë publike”.

Shkeljet ne procesin e menaxhimit të krizës energjetike

Edhe deputeti Ferat Shala, thotë për Albanian Post se një kërkesë e ngjashme do të bëhet deri sa të arrihet formimi i komisionit.

“Kjo kërkesë e ka shqetësuar tej mase partinë në pushtet duke filluar nga kryeministri tërë mekanizmin e kësaj qeverie”.

Ilustrim.

“Partia në pushtet mund ta vonojnë, ta sabotojnë por ne do të përdorim gjithë mekanizmat e tjera institucionalë që shumë shpejt komisioni të jetë funksional me ndihmën edhe të partive të tjera opozitare”, deklaron ai.

Shala, pohon se një serë shkeljesh janë në këtë proces.

“Kemi parregullsi të mëdha në procesin e menaxhimit të krizës energjetike, kemi shkelje ligjore në krejt këtë proces, kemi humbje të mëdha buxhetore dhe shkuarje shumë të mëdha të qindra miliona eurove në destinacione jolegale dhe joqendrore, andaj kemi kërkuar që të kemi një komisioni hetimor parlamentar si kërkesë kushtetuese legjitime, si kërkesë ligjore, si kërkesë opozitare”.

Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, konsideron se pushteti është duke u frikësuar nga e vërteta për krizën energjetike, prandaj edhe nuk po votohet për themelimin e Komisionit hetimor parlamentar.

“Ky refuzim hetimi, është shenjë frike e pushtetit rreth së vërtetës që megjithatë do të zbardhet herët apo vonë. Sa më i fortë refuzimi, aq më i domosdoshëm bëhet hetimi. Dhe sa më i domosdoshëm hetimi, aq më e drejtë bëhet kërkesa jonë për të”.

“Sjella e mazhorancës, si tregues i arrogancës së numrave që parandalon ushtrimin e detyrimeve kushtetuese të Parlamentit mbi Qeverinë, është praktikë kundërkushtetuese. E njëjta s’mund të vazhdojë”, ka shkruar i pari i LDK-së në Facebook.

Një dyshim të ngjashëm e pati edhe deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj.

“Çka po fsheh Vetëvendosja nga mos krijimi i Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me zhvillimet e çështjeve energjetike në kohën e krizës së energjisë në Kosovë?”, ka shkruar Lekaj në rrjetin social ‘Facebook’.

Më 19 prill, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, nuk është votuar mocioni për futjen në rend të ditës formimi i Komisionit Hetimor parlamentar për çështjen e menaxhimit të krizës energjetike, i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës.

Komisioni hetimor do të shikonte të gjitha masat e marra gjatë periudhës së shpalljes së gjendjes emergjente për energjinë, për të cilën, Kuvendi kishte votuar në fundin e vitit të kaluar.

Nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje argumentuan se opozita kishte bërë shkelje ligjore, pasi nënshkruesit e kërkesës për këtë çështje, nuk mund ta kryesojnë komisionin hetimor.

Më 29 dhjetor të vitit 2021, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar masat emergjente të Qeverisë së Kosovës lidhur me furnizimin e energjisë elektrike.

Këto masa përfshinin: vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

Për shkak të mungesës me furnizim me energjinë dhe rritjen e çmimeve të importit, Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRRE) prezantoi tarifat me rritje dhe Qeveria e Kosovës u zotua se do të subvenciononte me 90 milionë euro konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë energji elektrike.

Në fillim të muajit prill, Gjykata Themelore e Prishtinës ka pezulluar vendimin për shtrenjtimin e rrymës, duke vendosur masë të parakohshme deri në marrjen e një vendimi përfundimtar për këtë çështje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore