Lajme

Nuk kalon mocioni i PDK-së për formimin e Komisionit Hetimor për krizën energjetike, partitë opozitare lëshojnë sallën


Kuvendi i Kosovës

Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, nuk është votuar mocioni për futjen në rend të ditës formimi i Komisionit Hetimor parlamentar për çështjen e menaxhimit të krizës energjetike, i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës.

Pas mos-votimit, partitë opozitare kanë vendosur ta lëshojnë sallën e Kuvendit.

Ndonëse, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se do t’i japë të drejtë pjesërisht opozitës për futjen në rend të ditës formimin e Komisionit hetimor parlamentar për çështjen e menaxhimit të krizës energjetike, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ishte ajo që e kundërshtojë mocionin në fjalë, pasi sipas saj problemi në këtë komision qëndron në përbërjen e tij.

“Unë dua t’i jap të drejtë pjesërisht opozitës, sepse atëherë kam qenë kryetar i GP parlamentar kur na është mohuar kjo çështje dhe kam dalë dhe kamë thënë që ka qenë gabim dhe e padrejtë. Për të qenë në konsistencë me këtë qëndrim timin po i jap të drejtë opozitës dhe mendoj që duhet ta hapim fazën e propozimit të emrave, pastaj mazhoranca me votë e determinon a po dëshiron ta votojë ose jo”, tha ai.

Ndryshe në fillim të seancës së Kuvendit, Shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri ka insistuar që në rend dite të hyjë formimi i Komisionit hetimor parlamentar për çështjen e menaxhimit të krizës energjetike, që më pastaj të vazhdohet me votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat janë në rend të ditës.

Tahiri, ka potencuar se Kuvendi nuk ka zgjidhje tjetër, pasi sipas tij, komisioni është formuar, derisa ka kërkuar që kjo pikë të hyjë në rend të ditës dhe të votohet, në atë mënyrë që të zgjedhen anëtarët e këtij komisioni.

Abelard Tahiri

Por, mocioni në fjalë u kundërshtua nga Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, e cila potencoi se në mocionin e prezantuar nga PDK-ja nuk përmendet fakti se 40 deputetët nënshkrues janë iniciues të formimit të këtij komisioni.

“Në rrethanat aktuale pamundësohet funksionalizmi përderisa të gjitha partitë opozitare janë iniciuese, ndërsa me ligj asnjë nga deputetët e pozitës nuk mund të jetë kryesues i këtij komisioni. Bazuar në praktikën e mëhershme, më 2018, kur njëjtë nënshkrues ishin LDK-ja e LVV-ja, kryeparlamentari asokohe tha që për arsye se deputetët e dy partive janë iniciuese të komisionit hetimor nuk mund të themelohet sepse nuk mund të udhëhiqet nga deputetët e njërit grup parlamentar që është iniciues i komisionit hetimor”, ka thënë ajo.

Mimoza Kusari-Lila

Në anën tjetër Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, deklaroi se partia e tij e përkrah që kjo pikë të hyjë në rend dite duke shtuar se LDK-ja nuk është iniciuese e themelimit të këtij komisioni dhe ka deputetë nga kjo parti që nuk janë nënshkrues për themelimin e këtij komisioni.

“Nëse ju tentoni të mohoni këtë të drejtë, nuk ka kuptim që ne të marrim pjesë në Kuvend. Nuk ka kuptim parlamentarizmi në Kuvend nëse mohohet një e drejtë kushtetuese. Nëse nuk formohet ky komision, nuk ka kuptim që grupi parlamentar i LDK-së të marrë pjesë në Kuvend. Nuk ka kuptim as të votohen marrëveshjet ndërkombëtare kur ju ia mohoni opozitës formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar”, ka thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore