Lajme

Çështja e “paprekshmërisë së kufijve” në takimin Zelenskyy-Vuçiç, Bildt: Presion i fortë pro dhe kundër njohjes


Carl Bildt

Ish-kryeministri i Suedisë, Carl Bildt, nëpërmjet një postimi në rrjetin social “X”, ka shprehur pikëpamjet e tij për takimin e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy dhe homologut të tij serb, Aleksandër Vuçiç, të martën në Athinë të Greqisë.

Bildt, i cili për një kohë ka qenë edhe ministër i Punëve të Jashme dhe njohës i zhvillimeve politike në rajon, ka thënë se çështja e “paprekshmërisë së kufijve” për të cilën kanë diskutuar dy presidentët, në rastin Ukrainë-Rusi dhe Kosovë-Serbi mund të jetë pakëz e ndërlikuar.

“Disi e ndërlikuar për Ukrainën me çështjen e Kosovës. Presion i fortë pro dhe kundër njohjes. Çështja e paprekshmërisë së kufijve, të cilës i referohet Zelenskyy është e rëndësishme, por e ndërlikuar në rastin Kosovës”, ka shkruar Bildt të martën, derisa ka shpërndarë postimin e presidentit ukrainas.

Presidenti Zelenskyy, i cili ka qenë në mesin e të ftuarve të kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, së bashku me liderë të Ballkanit Perëndimor në pallatin Maximus, ka thënë se me homologun e tij serb përveç tjerash, ka diskutuar edhe për respektimin e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe paprekshmërinë e kufijve.

Serbia është në mesin e vendeve që akoma nuk i ka vendosuar sanksione Rusisë për agresionin e paprovokuar në Ukrainë, ndërsa Kosova është ndër vendet që prej fillimit të agresionit ka dhënë mbështetjen e saj për Ukrainën dhe popullin ukrainas.

Zyrtarët serbë në krye me presidentin Vuçiç, vazhdimisht kanë përsëritur se Beogradi nuk do të mbështesë sanksionet ndaj Moskës, pasi kështu mbron “interesat vitale” të shtetit, sepse Serbia po ashtu mbështetet në Rusinë, që është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore