Lajme

Çështja (aspak) fetare mes Kishës Ortodokse Serbe dhe Malit të Zi


Kryepatriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç

Kisha Ortodokse Serbe nuk është çfarëdo institucioni fetar. Së paku në 150 vitet e fundit, popujt ballkanikë këtë e dinë shumë mirë.

Religjioni i cili është një set praktikash, ritualesh, dhe preceptesh morale të një grupi të caktuar njerëzor, me Kishën Ortodokse Serbe, merr misionin e gravitimit të një populli nën ombrellën e saj. Dhe atë, duke marrë monopolin mbi vetë identitetin e tyre.

Doktrina e saj, është e ngjizur me nacionalizëm. Në sy të saj, s’mund të jesh serb dhe jo ortodoks, e as ortodoks e jo serb. Andaj edhe dallimi rrënjësor, historik, me fetë dhe popujt e tjerë: shqiptar, mysliman, kroat, katolik.

Kisha Ortodokse Serbe, nuk mund të pranojë “të barabartë të Tjerë” kundrejt vetes (lexo: pushtet), dhe roli i saj në jetën publike, sidomos pas (por edhe që i parapriu) rënies së socializmit jugosllav, është gjithandej.

Shembulli më aktual është marrëveshja e shumë përfolur mes Kishës Ortodokse Serbe dhe qeverisë së Malit të Zi, marrëveshje kjo që u ka ngelur kafshatë e madhe në fyt secilës qeveri që pas shpalljes së Pavarësisë së Malit të Zi nga Serbia në vitin 2006.

Kisha Ortodokse serbe, Mali i Zi, gjeneza dhe gjenerimi i problemeve.

Profesori universitar në Universitetin e Malit të Zi dhe historiani i mirënjohur malazez, Adnan Prekiç, për Albanian Post shpjegon se si qëndron kjo çështje.

Profesori universitar në Universitetin e Malit të Zi dhe historiani i mirënjohur malazez, Adnan Prekiç

“Në Mal të Zi Kisha Ortodokse Serbe nuk është vetëm institucion fetar, por kryesisht institucion politik”, është gjëja e parë që duhet pasur ndërmend, thotë fillimisht ai.

“Në vetë dokumentet zyrtare të qeverisë së Serbisë”, rikujton profesori malazez, “ka ligje e disa deklarate ku në mënyrë eksplicite shkruhet se Kisha Ortodokse Serbe është instrumenti më i rëndësishëm i politikës serbe në raport me vendet fqinje”.

“Dhe në rend të parë kjo i bie Mali i Zi”, thekson Prekiç.

Por, për të kuptuar kontekstin e kontestit mes Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe, duhet parë në retrospektivë hallkën e ndërthurrjes, tejet problematike, mes tyre.

“Në rend të parë, ju duhet të dini se ne kishim Kishën Autoçefale Ortodokse Malazeze. Por, pas vitit 1918, pas Luftës së Parë Botërore dhe shkrirjes së Malit të Zi në ‘Mbretërinë e Serbëve, Kroatëve dhe Slovenëve’, ajo që ishte Mbretëria e Jugosllavisë, pikërisht aty Kisha Ortodokse e Malit të Zi u mbyll dhe u bë një kishë e re ortodokse, ajo që do të bëhej tani Kisha Ortodokse Serbe”, shpjegon Adnan Prekiç.

Ky është momenti, pas Luftës së Parë Botërore, ku duhet gjurmuar gjeneza e një institucioni të centralizuar fetar, tregon historiani malazeze.

Manastiri i Cetinjes në kryeqytetin e vjetër mbretëror të Malit të Zi. Foto: Shutterstock

Kisha Ortodokse Serbe i fut nën ombrellë të gjitha institucionet fetare ortodokse, prej Malit të Zi, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Kroacisë, e deri te të gjitha segmentet “ku ka serbë”.

“Por, pse është e rëndësishme kjo?”, pyet Prekiç.

“Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi, këto 30 vitet e fundit ka shfrytëzuar të gjitha problemet në vend, për të forcuar pozicionin e vet. Ka krijuar pozicion tepër të qartë në Mal të Zi”, thotë ai teksa shpjegon konsolidimin e saj në sferat e jetës publike dhe politike të shtetit të ri malazez e të pavarur.

Ish-ambasadori i Kosovës në Mal të Zi, Ylber Hysa, tregon se “pala suverniste malazeze pretendon që me të humbur shtetin në vitin 1918, për ta në mënyrë jo të drejtë, që ka bërë që të tërhiqet nga historia një sovranitet malazez që bashku me të dhe Kisha në atë kohë e këtij shteti”.

Ish-ambasadori i Kosovës në Mal të Zi, punonjësi shkencor në Institutin Albanologjik të Kosovës dhe historiani, Ylber Hysa.

“Pretendojnë qe me rikthimin e pavarësisë pas vitit 2006, janë krijuar edhe kushtet për të rikthyer edhe këtë çështje, pas rikthimit të gjuhës si një fazë e fundit e ndërtimit të identitetit që vije pas ndërtimit të shtetësisë, standardizimit të gjuhës dhe në fund adresimit të Kishës, i cili përmes ligjit për fetë u përjetua si i rrezikshëm për Kishën Ortodokse Serbe, e cila me ato litjet ortodokse të njohura bëri edhe një ndryshim serioz politik që solli deri te rrëzimi i pushtetit të zoti Gjukanoviq”, tregon Ylber Hysa.

Trazirat në Cetinje, si shembull

Por, pse trazirat, si ajo e fronësimit të Mitropolitit serb Joanikije në Manastirit e Cetinjes.

Mali i Zi, në shtator të vitit të kaluar, pa protesta e bllokada, dhe qiell të mjegullt nga tymi i gazsjellësit, që i ngjasonte skenave filmike të “Apocalypse Now”.

Nivelet marramendëse të gazit lotësjellës të hedhura nga policia e Malit të Zi në rastin e protestave të Cetinjes kundër fronësimit të Mitropolitit serb, Joanikije

Një mitropolit i cili me gjithë aparatin shtetëror të sigurisë, me helikopterë e njësi speciale, me eskortë të çeliktë, e me kategorinë më të lartë të ruajtjes, shkon të kurorëzohet në një manastir në Cetinje, paraprakisht tregon se sa unitet fetar ka, dhe sa legjitimitet gëzon në predikimin dhe trupëzimin e doktrinës së Kishës Ortodokse Serbe – “një popull, një besim”.

Presidenti malazez, Millo Gjukanoviç u doli në mbështetje protestuesve, i cili edhe ashtu njihet për kundërshtar të institucionit të Kishës Ortodokse Serbe. Por, vetë kjo Kishë do ta rrëzonte nga pushteti, pas ligjit që miratoi për “Liritë Fetare” në vitin 2019.

“Ishte hera e parë kur qeveria e Malit të Zi vendosi të merr njëfarë pozicioni kushtetues ndaj Kishës Ortodokse Serbe, dhe kishim njëfarë beteje direkte mes tyre”, thotë Prekiç.

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç

“Filloi kur u miratua ligji për Liritë Fetare. Nuk ishte diçka shumë specifike. Ndërtonte njëfarë pozicioni për të gjitha grupet kryesore fetare në vend. Por Kisha Ortodokse Serbe nuk dëshiron të jetë e barabartë me grupet e tjera. Dëshiron të jetë kryesorja. Veçanërisht ndaj besimtarëve ortodoksë, e që janë 80 përqind e Malit të Zi”.

Historiani malazez, shpjegon se propozimi i Presidentit të Malit të Zi ishte që të krijohej nj baarazi e përgjithshme për liritë fetare në vend.

“Por çka është e rëndësishme për ta ditur? Kisha Ortodokse Serbe as që dëshiron të njeh Pavarësinë e Malit të Zi, nuk i njeh kufijtë e Malit të Zi, as shtetësinë, dhe as atë se çfarë Mali i Zi është në të vërtetë”, thotë Adnan Prekiç për Albanian Post.

Marrëveshja mes Kishës Ortodokse Serbe dhe Malit të Zi që (nuk) po bëhet

Pak ditë para rrëzimit të qeverisë së Zdravko Krivokapiç, ai e kishte për ngut “nënshkrimin” e marrëveshjes mes dy palëve.

Ish-kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç dhe kryehierarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije

Menjëherë pas kësaj, Dritan Abazoviç udhëtoi për në Beograd për të takuar krye-hierarkun e Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, për të biseduar “rreth marrëveshjes”.

Porfirije hezitoi. Ai tha se “nuk do të nënshkruajë” një marrëveshje me një qeverie para-rënies, ngase konkluzionet e saj mund të sfidohen nga qeveria pasuese.

“Por edhe Dritan Abazoviç ka një pjesë të problemit. Sepse njëra nga partitë brenda qeverisë së pakicës që ka propozuar, është parti pro-serbe. Dhe me këtë marrëveshje dëshiron ta bëjë për vete këtë parti”, thotë Prekiç.

Por Kisha Ortodokse Serbe nuk dëshiron qeveri të pakicës. Ajo bëri thirrje për zgjedhje të reja, përçka i menjëhershëm qe reagimi i Bashkimit Evropian se “Kisha Ortodokse Serbe nuk duhet të ndërhyjë në punët shtetit”.

“Mali i Zi është shtet sovran dhe sekular. Feja duhet të respektojë parimin bazë të sekularizmit”, reaguan ambasadat e QUINT-it në Podgoricë.

Për Kryetaren e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd, Sonja Biserko, Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi dëshiron të jetë “shtet brenda shtetit”.

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Beograd, Sonja Biserko

Mali i Zi, sipas saj, është vend i NATO-s, me orientime të qarta evropiane, dhe me një jetë harmonike multi-etnike, dhe në këtë aspekt “ishte shembull për të gjithë vendet e rajonit”.

“Mendoj se kjo është një marrëveshje që do t’i jepte pozicion special Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, gjë që është e papranueshme, sepse ata kanë edhe një kishë tjetër ortodokse malazeze. Kisha Ortodokse Serbe është shtet brenda shtetit. Dhe, tani do të thoja që është instrumenti kryesor përmes së cilës shteti i Serbisë vepron në vendet fqinje”.

“Ata Malin e Zi e trajtojnë vetëm si territor, dhe jo si shtet”, shpjegon Sonja Biserko për Albanian Post.

Duke e mbajtur si të tyren të gjithë trashëgiminë kulturore malaze, “ata gjithashtu do të mbanin çelësin e intepretimeve ndaj identitetit malazez. Gjë që, sipas pikëpamjeve të Kishës Ortodokse Serbe, ata e shohin si identitet serb”.

Flamuri kombëtar i Malit të Zi

“Ata i kanë bërë dëm të madh Malit të Zi, qe një vit e gjysmë. Ngase kanë shkatërruar diçka që ka qenë e brenda-ndërtuar në Mal të Zi, dhe siç mund ta dini, për shkak të kompozitës së vetë (ish)qeverisë, që përbëhe(j) nga, pak a shumë, pro-serbë”, shpjegon Biserko.

Sipas saj, elementet pro-serbe brenda ish-qeverisë së Malit të Zi synuan të ndryshojnë tërë pikturën e përgjithshme të institucioneve të vendit.

Për presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, vetë emri i kësaj marrëveshje, e cila është quajtur “Marrëveshje Themeltare”, tregon për qëllimet e saj të këqija.

“Për të vazhduar me këtë ide të monopolit të Kishës Ortodokse Serbe, dhe jo vetëm mbi besimtarët ortodoksë në Mal të Zi, por edhe me përpjekjet për të pretenduar që Kishën Ortodokse Serbe si komunitet fetar mbi të gjitha komunitetit tjera , dhe përfundimisht për të pretenduar vetë Shtetin e Malit të Zi”, tha Presidenti malazez, Millo Gjukanoviç ditë më parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore