Lajme

Censurim i televizioneve në Afganistan nga talebanët: Jo më aktore gra


Autoritetet ultra-konservatore të talebanëve lëshuan një seri “udhëzimesh” të dielën e 21 nëntorit, të cilat, ndër të tjera, u bënin thirrje televizioneve afgane që të mos transmetonin telenovelat apo drama me aktore gra.

Ata thanё se udhёzimet nuk janë të detyrueshme, por më tepër “një direktivë fetare”.

Lajmёrimi u lёshua nga Ministria për Nxitjen e Virtytit dhe Parandalimin e Veseve dhe shënoi të parin e këtij lloji kundrejt rrjeteve mediatike të vendit.

Kujtojmë se, me marrjen e pushtetit këtë herë në Afganistan, talebanët premtuan se do të tregohen më të moderuar në sundimin e tyre.

Çfarё pёrmbajnё udhëzimet?

Ministria tha se filmat apo shfaqjet, që janë kundër vlerave islamike ose afgane, duhet të ndalohen.

Nё to përfshihet shfaqja e Profetit Muhamed dhe figurave të tjera të nderuara.

Gratë gazetare, që dalin në televizion, duhet të mbajnë hixhabe, ndёrsa pёr meshkujt u konsiderua i papёrshtatshёm ekspozimi i trupit, pёrfshirё zbulimin e bustit.

“Udhëzimet nuk janë të detyrueshme, por sugjerime që duhen mbajtur parasysh gjatë transmetimeve”, bëri me dije një tjetër zëdhënës i talebanëve për Agjencinë Spanjolle të Lajmeve “EFE”.

Marrëdhënia e talebanëve me mediat

Talebanët u rikthyen në pushtet në gusht, njëzet vjet pasi forcat e udhëhequra nga SHBA-të i dëbuan ata.

Qëndrimi i tyre i mëparshëm në pushtet i pa ata të ndalonin TV dhe filma, si dhe shumicën e formave të tjera të medias.

Një burim i lejuar mediatik ishte kanali radiofonik “Zëri i Sheriatit” që transmetonte propagandë islamike.

Gjatë dy dekadave të mëvonshme të lirisë relative të shtypit, u krijuan disa rrjete televizive vendase, që shfaqnin një sërë shfaqjesh, përfshirë konkurse këngësh dhe telenovela të importuara nga Turqia dhe India.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore