Zgjedhjet në Shqipëri

Celibashi: Ka përfunduar numërimi i fletëve për kandidatët në 37 VNV


Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka mbajtur një deklaratë për mediat sa i përket numërimit të fletëve të votimit për kandidatët.

Ai tha se, gjatë këtij procesi ka pasur disa problematika. Kjo, për shkak se anëtarë të grupeve të numërimit dhe komisionerë nuk i kanë ndjekur rregullat.

Celibashi bëri me dije se, deri tani, procesi i numërimit për kandidatët e zgjedhjeve të 25 prillit ka mbaruar në 37 vende numërimi të votave dhe pritet të përfundojë edhe në 14 të tilla.

Gjithashtu, komisioneri konfirmoi që nuk do të lejohet transformimi i votës.

“Nuk do të lejojmë asnjë transformim të votës nga një kandidat në tjetër. Çdo tentativë është e kotë, kemi të gjitha filmimet. Kështu që dua t’i ftoj kandidatët të ndihen të qetë, pasi ekzistojnë mundësitë për të verifikuar numrin e votave dhe fletët e votimit”.

Pjesëmarrja në zgjedhje

Celibashi, gjatë fjalës së tij, deklaroi se pjesëmarrja në zgjedhjet e 25 prillit ishte 46.32%.

“Është mbyllur plotësisht procesi për partitë në lidhje me pjesëmarrjen. Shifrat janë këto: pjesëmarrja është 46.32% nga këto 47.6% është pjesëmarrja e grave dhe 52.34% janë burra”.

Për sa i përket procesit të votimit dhe numërimit, Komisioneri tha se ka pasur disa kërkesa nga institucione apo subjekte zgjedhore për të marrë pamje filmike të dy proceseve.

Celibashi bëri të ditur se pamjet filmike i kanë kërkuar: Komisariati i Policisë Numër 1, Komisariati i Policisë Numër 2.

Gjithashtu, tha ai, edhe “Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë kërkuar pamjet filmike të VNV”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore