Lajme

Çeku: Serbia i mori 1247 artefakte nga Kosova, koleksioni ende mbahet ilegalisht në muzetë e Beogradit


Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se 1247 artefakte të koleksionit muzeor publik janë marrë nga Muzeu Kombëtar i Kosovës gjatë kohës së luftës nga Akademia e Shkencave të Serbisë.

Ai konsideron që kjo ishte pjesë e projektit gjenocidal të Serbisë kundër historisë dhe identitetit të shqiptarëve, “krahas shkatërrimit të mbi 1 mijë objekteve të trashëgimisë”.

“Pothuajse 24 vjet më pas, koleksioni ende mbahet padrejtësisht dhe ilegalisht në muzetë e Beogradit. Sipas marrëveshjes origjinale artefaktet janë marrë për ekspozim të përkohshëm, por ende nuk janë kthyer aty ku i takojnë, Muzeut Kombëtar të Kosovës”, ka shkruar Çeku në Twitter.

Çeku thekson se Serbia po shkel haptazi marrëveshjen origjinale të vitit 1998-99 të nënshkruar ndërmjet institucioneve Kosovës, Serbisë dhe UNESCO-s, por edhe “Konventën e vitit 1970 për kthimin e pasurisë kulturore në vendin e origjinës dhe dokumenti i Ahtisaarit që përcakton një afat kohor për kthimin e koleksionit”.

Më 9 korrik të vitit të kaluar, Kosova ka kërkuar po në Twitter edhe kthimin e instrumentit muzikor – Okarina, që është gjetur në fshatin Runik, komuna e Skenderajt.

Okarina

Një nga Okarinat më të famshme dhe më të vjetra në Evropë është gjetur në fshatin Runik në Kosovë. Përveç se ndër më të vjetrat në Evropë është edhe një ndër më të vjetrat në botë, pasi i takon kohës së neolitit, diku rreth 3000 deri 8000 vjet para erës sonë.

Është instrumenti më i hershëm i gjetur ndonjëherë në Kosovë.

Më 20 maj të vitit të kaluar, delegacioni i Serbisë në UNESCO përmes një postimi në Twitter, kanë shkruar se “Serbia nuk do t’ia kthejë Kosovës artefaktet që gjenden në kryeqytetin serb në Beograd”, një ditë pasi Muzeu Kombëtar i Kosovës, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit e Ministria e Punëve të Jashtme i kanë nisur dy shkresa Serbisë nëpërmjet të cilave kërkohet kthimi i artefakteve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore