Lajme

Çeku: Kriminelët në Veri veçse dihen, është radha e Prokurorisë


Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrullah Çeku.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrullah Çeku, ka deklaruar se kriminelet në Veri për situatën e krijuar dhe sulmet që kanë bërë ndaj gazetarëve, Policisë së Kosovës, e pjesëtareve të KFOR-it veçse janë të njohur tani.

Sipas Çekut, është radha e Prokurorisë që tani të merren me veprimet e mëtutjeshme ndaj tyre.

“Kriminelët në veri tash veçse dihen. Ata kanë emër e mbiemër. Institucionet e sigurisë po bëjnë punë të jashtëzakonshme në identifikimin e tyre. Tash është radha e Prokurorisë”, ka shkruar Çeku në Facebook.

Të hënën, trupat paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë, janë parë duke hequr rrethojat me gjemba në komunën e Zveçanit, për të mbrojtur objektin komunal nga protestuesit të cilët dolën në rrugë nga 26 maji.

Më 26 maj, tensionet në Veri u rritën, atëherë kur krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, kishin hyrë nën përcjelljen e policisë në ndërtesat komunale.

Ndërkaq, më 29 maj, protestuesit u përleshën me trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Nga kjo përleshje 41 trupa të KFOR-it, u lënduan edhe dhjetëra protestues.

Bilanci i sulmeve në Veri, të dhëna të publikuara nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).

Bilanci i sulmeve në Veri, të dhëna të publikuara nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).

Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Britanisë së Madhe kanë kërkuar që të ndalet menjëherë dhuna ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Kryetarët e rinj shqiptarë u zgjodhën në zgjedhjet e parakohshme të 23 prillit.

Këto zgjedhje u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve të mëparshëm komunale nëntorin e 2022.

Kryetarët e mëparshëm vinin nga Lista Serbe partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila nuk mori pjesë në zgjedhje dhe procesi u bojkotua nga serbët lokalë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore