Lajme

Veri: KFOR-i largon telat me gjemba, nga Policia e Kosovës thonë s’dinë gjë


Telat me gjemba vendosur rreth objektit komunal në Zveçan, si edhe në Leposaviq e Zubin Potok, janë larguar nga pjesëtarët e KFOR-it.

Nga disa video të publikuara nga Zveçani shihen ushtarët e KFOR-it duke i larguar, por nuk bëhet e qartë nëse po hiqen përhershëm, apo vetëm për t’u ripozicionuar në një vend tjetër.

Faqja që ka publikuar videon në Twitter, The Balkan Independent, ka në mbishkrim “KFOR-i duke hequr rrethojat me gjemba në Zveçan”, megjithatë Policia e Kosovës nuk ka konfirmuar për Albanian Post asgjë.

“Ju lutem, kontaktoni KFOR-in për këtë gjë, ne nuk mund të themi asgjë”, ka thënë për Albanian Post, zëdhënësi i Policisë në Rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani.

Pa përgjigje, tani për tani, janë edhe nga zyra për medie e KFOR-it në Kosovë.

“Nuk e kemi informatën nga terreni akoma”, ka thënë për Albanian Post zyra për medie e KFOR-it.

Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë, shtuan masat e sigurisë para ndërtesave të komunave në Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq, në veri të Kosovës, më 30 maj, një ditë pasi që në komunën e Zveçanit, protestuesit serbë lënduan 30 ushtarë të KFOR-it, tre prej të cilëve ishin plagosur me armë zjarri.

Tensionet në veri u rritën pasi të premten e kaluar kryetarët shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit, të cilat u bojkotuan nga serbët, hynë në ndërtesat komunale për të marrë detyrën.

Serbia e vuri ushtrinë në gjendjen më të lartë të gatishmërisë dhe dërgoi më shumë trupa në kufirin me Kosovën.

Një ditë pas kësaj ngjarje, NATO-ja vendosi të dërgojë 700 trupa shtesë në Kosovë për të përforcuar praninë e saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore