Lajme

Çeku: Filmat shqiptarë të ndaluar në Luginë nga Beogradi, së shpejti premierën e tyre në Prishtinë


Hajrullah Çeku, Gani Veseli dhe Musa Isufi.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrullah Çeku, ka bërë të ditur se është takuar me produecentin njëherësh edhe aktorin Gani Veselin dhe regjisorin Musa Isufi të cilët kanë punuar në filmat “I pabesi” dhe “Heshtja vret”.

Çeku, ka bërë të ditur se premierat shumë shpejt do të shfaqen në Prishtinë.

“Sot pata kënaqësinë t’i pres në ministri producentin e aktorin Gani Veseli dhe regjisorin Musa Isufi, dy filmat e të cilëve pushteti autokrarik në Serbi nuk lejon të shfaqen në Luginën e Preshevës”.

“Filmat “I pabesi” dhe “Heshtja vret” që janë financuar nga Qeveria e Kosovës si pjesë e mbështetjes për Luginën, së shpejti do të kenë premierën e tyre në Prishtinë”, ka shkruar ministri në rrjetin social ‘Facebook’. 

Ish-kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani ka njoftuar të enjten se Gjykata e Lartë e Vranjës, i ka dërguar ftesë producentit të filmave “I pabesi” dhe “Heshtja vret”, Gani Veselit për t’u paraqitur të enjten në seancë gjyqësore.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ Sinani kishte sqaruar se më 10 qershor këto dy filma ishin planifikuar të shfaqeshin në Shtëpinë e Kulturës në Bujanoc, por që me një vendim arbitrar të Prokurorisë dhe policisë në Bujanoc ishte ndaluar shfaqja e tyre.

“Gjykata e Lartë e Vranjës i ka dërguar ftesë për në seancë gjyqësore të caktuar të mbahet sot, producentit të filmave “I pabesi” dhe “Heshtja vret”, Gani Veselit. Më 10 qershor këto dy filma ishin planifikuar të shfaqeshin në Shtëpinë e Kulturës në Bujanoc, por që me një vendim arbitrar të Prokurorisë dhe policisë në Bujanoc ishte ndaluar shfaqja e tyre”, ka shkruar Sinani.

Ajo vendimin e kryetarit të Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, e ka konsideruar si “të pabazuar”.

“Në të njëjtën ditë, edhe producenti i filmave, Gani Veseli edhe drejtori i Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, Jetmir Ismaili, ishin marrë në pyetje nga policia. Vlen të ju rikujtoj, që paraprakisht, shfaqja e këtyre filmave ishte planifikuar të bëhej në Shtëpinë e Kulturës “Abdulla Krashnica” në Preshevë”.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrulla Çeku, kishte akuzuar shtetin e Serbisë që po shfaq ‘mosdurim nacional’, dhe se veprimi i autoriteteve serbe për të ndaluar shfaqjen është i “paprecedent dhe i papranueshëm”.

Ndalimi i filmave shqiptarë në Luginë, “masë hakmarrëse për shkak të ngjarjeve në Kosovë”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore