Lajme

Caktohet ekspertizë balistike jashtë shtetit për gazin në Kuvend ku akuzohet ministrja Haxhiu


Foto nga hedhja e gazit lotsjellës në Kuvend.

Për rastin ku po akuzohen ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputeti Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu për posedim të gazitlotsjellës në Kuvend të Kosovës është kërkuar ekspertizë balistike jashtë shtetit.

Ekspertiza balistike bëhet në rastet kur është e nevojshme që të studiohen gëzhojat, plumbat, armët e zjarrit në vendin e një ngjarje, siç është rasti në Kuvendin e Kosovës.

Kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, ka bërë të ditur se kjo do të bëhet me qëllim për të vërtetuar se çfarë mjetesh kanë përdorur të akuzuarit.

Ajo ka sqaruar se duke u bazuar në sugjerimet e Apelit, Gjykata fillimisht ka urdhëruar Agjencinë e Kosovës për Forenzikë për një ekspertizë balistike, por që në përgjigjen e Agjencisë thuhet se në laboratorin e tyre nuk mund të behët ekspertizë e tillë për mjetet e gjetura tek të akuzuarit.

“Do të kërkohet ekspertizë jashtë shtetit meqenëse nuk bëhet në Agjencinë Kosovare të Forenzikës për mjetet e gjetura tek të pandehurit, dhe për të konstatuar se çfarë janë ato në të vërtetë”, ka thënë Deramku, raporton “Betimi për Drejtësi”. 

Foto nga hedhja e gazit lotsjellës në Kuvend.

Prokurori Ilaz Beqiri u shpreh se zyrtarët e AFK-së qartë e kanë shpjeguar se nuk kanë pajisje që të bëhet ekzaminimi.

“Këtë fakt prokurori e ka dit qysh herët edhe për këtë se kam marrë këtë veprime, propozoi që të vazhdohet tutje me procedurën”, ka thënë ai.

Më 18 maj të 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë, në mungesë të provave, i kishte liruar nga akuzat për armëmbajtje pa leje, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputetin Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, për akuzën e posedimit të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Mirëpo, kundër këtij aktvendimi ankesë kishte parashtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë, ku në seancën e mbajtur më 6 tetor 2022, kjo prokurori kishte kërkuar kthimin e rastit në rigjykim.

Më pas, Gjykata e Apelit më 14 tetor 2022, ka marrë vendim me të cilin ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ka prishur aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, duke e kthyer çështjen në rigjykim.

Sipas aktakuzës së ngritur në 2016, Pal Lekaj, Besa Baftiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiu akuzohen se pa autorizim kishin poseduar bombola të gazit lotsjellës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore