Shqipëria

Projektbuxheti 2022, Krifca: 7.1 miliardë financim për zhvillimin rural, 3.2 miliardë për 50 mijë fermerë


Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin është shprehur se në buxhetin për vitin 2022 për Bujqësinë, 7.1 miliardë do të jenë për financimin e zhvillimit rural dhe 3.2 miliardë mbështetje për rreth 50 mijë fermerë.

Gjithashtu ajo theksoi se 2.2 miliardë lekë është programi IPARD, ndërkohë që 400 milionë lekë mbështetje për start up në bujqësi.

“Fermerët do të mbështeten për të rritur prodhimin e tyre, dhe me naftë pa akcizë. Për herë të parë do të ketë edhe rimbursim për farat dhe fidanët që të garantojmë sigurinë ushqimore. Skema e naftës do të përfshijë këtë vit edhe kulturën e ullirit”, bëri em dije Krifca.

Për sigurinë ushqimore, bëri me dije ministrja, “do të kemi 2.3 miliardë lekë, buxheti më i madh ndonjëherë, do rrisim laboratorët, 120 grupet e AKU do të pajisen me infrastrukturë”.

“Buxheti i vitit 2022 do të siguroj edhe ndërtimin e librit të fermerit, ku në të do të listohen të gjitha preparatet që përdor. 1.7 miliardë lekë për kullimin e ujitjen, do të synojë zvogëlim për përmbytjet. 2017-2020 financuam 13.6 miliardë lekë për infrastrukturën e ujitjes. 12 km argjinaturë të rrezikuara nga përmbytjet”.

Krifca tha se me buxhetein e vitit 2022 do të ketë iniciativa për të çuar kapital dhe investime në fshatrat e Shqipërisë nëpërmjet investimeve në infrastrukturën.

“Qeveria Shqiptare synon lehtësimin e mbështetjes së agrobiznesit dhe sektorit të turizmit ne bashkepunim me BERZH – nëpërmjet fondit të garancisë ku do të garantojë kontributin e qeverisë me 36 mln euro. Synimi është gjenerimi i 180 milionë euro në vlerë kredie për sektorin bujqësor dhe rural në vend”.

Dy ditë më parë, ministrja ka deklaruar se qeveria do të rrisë eficiencën e prodhimit shqiptar dhe përmbushjen e kushteve të Bashkimit Evropian (BE).

Në bashkëpunim me Organizatën e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO), të mërkurën e 3 nëntorit, prezantuan Projektin e Bashkëpunimit Teknik, sipas të cilit do të implementohet rrjeti i të Dhënave të Kontabilitetit të Fermës.

Krifca vlerësoi nisjen e projektit, si një nga rekomandimet e raportit për zhvillimin e bujqësisë dhe zhvillimit rural, në përputhje me direktivat e BE-së.

Më 22 tetor,  Krifca, në prezantimin e projekt-buxhetit për vitin 2022 u shpreh se do të ketë një rritje të tavanit buxhetor për nismat e mandatit “Rama 3”.

Në fjalën e saj, Krifca garantoi se do të ketë mbështetje për fermerët dhe peshkatarët me gjithë flotat e tyre të peshkimit.

Sipas ministres, me këtë projekt-buxhet do të mbahen të gjitha premtimet e dhëna ndaj tyre.

Përmes këtyre investimeve, shtoi Krifca, kërkohet të rritet produktiviteti për të shkuar drejt një rritjeje të eksporteve.

Ajo kujtoi se eksportet janë rritur me 14% dhe ky është një lajm shumë i mirë.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore