Shqipëria

Krifca për projekt-buxhetin 2022: Rritet tavani buxhetor për nismat e bujqësisë, prioritet turizmi rural


Ministrja e Bujqësisë në Shqipëri, Frida Krifca, në prezantimin e projekt-buxhetit për vitin 2022 u shpreh se do të ketë një rritje të tavanit buxhetor për nismat e mandatit “Rama 3”.

Në fjalën e saj, Krifca garantoi se do të ketë mbështetje për fermerët dhe peshkatarët me gjithë flotat e tyre të peshkimit.

Sipas ministres, me këtë projekt-buxhet do të mbahen të gjitha premtimet e dhëna ndaj tyre.

Përmes këtyre investimeve, shtoi Krifca, kërkohet të rritet produktiviteti për të shkuar drejt një rritjeje të eksporteve.

Ajo kujtoi se eksportet janë rritur me 14% dhe ky është një lajm shumë i mirë.

“Do të injektojmë financim aty ku produktiviteti është i lartë, që të lidhim hallkat e zinxhirit ushqimor”, u angazhua ministrja gjatë deklaratës.

Zyrtarja e bujqësisë garantoi se do të ketë buxhet edhe për sigurinë ushqimore.

“Do të rrisim institucionet që ruajnë sigurinë ushqimore dhe teknologjinë”, ravijëzoi ministrja.

Në përmbyllje, Krifca tha se prioritet do të ketë edhe turizmi rural.

Sipas ministres ky është një sektor fitimprurës tek familjat rurale dhe jep ndikim ekonomik për gjithë zonën rurale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore