Lajme

Burri i akuzuar për sugjerimin e vrasjes së Pedro Sanchez, mohon akuzat – thotë të ketë qenë i dehur


Pedro Sanchez - Kryeministër i Spanjës

Një rojtar sigurie, i quajtur Manuell Murillo, i akuzuar se sugjeroi vrasjen e kryeministrit socialist të Spanjës “për të detyruar një ndryshim në jetën politike të vendit” , ka thënë pranë gjykatës se ai kurrë nuk e kishte seriozisht idenë e krimit, ndërsa fajin ia ka lënë konsumimit të alkoolit.

Roja e sigurisë që operon nga Terrassa në Katalonjë, 66 vjeç, mund të përballet me 18 vjet e gjysmë burg nëse dënohet për propozimin e vrasjes së Pedro Sanchez dhe për posedim të armëve e municioneve të paligjshme.

Murillo u arrestua në shtator të vitit 2018, pasi policia u njoftua për mesazhet që ai kishte ndarë me një grup të djathtë, nacionalist në rrjetin social, WhatsApp, shkruan The Guardian.

Ai u tha anëtarëve të tij se ishte i zemëruar për planet e qeverisë Sanchez për të zhvarrosur gjeneralin Franko nga varri i tij jashtë Madridit.

Manuel Murillo – Gjatë procesit gjyqësor.

“Nuk mund t’i lejojmë ata të poshtërojnë gjeneralin. Është hakmarrja e tyre për humbjen e luftës civile spanjolle”, thuhet të ketë thënë Murillo.

“Nëse është e nevojshme, do të nisem i armatosur dhe do të ulem në varrin e Frankos dhe do t’i qëlloj nëse më afrohen. Nëse prekin Frankon, sugjeroj që të ketë një luftë tjetër për nderin tonë”, thuhet të ketë shtuar ai.

Tutje, më vonë ai i tha grupit që parashikonte një “kryengritje kombëtare” për të përmbysur qeverinë socialiste, duke shtuar  se do të ishte paksa si Operacioni Valkyrie, përpjekja e dështuar për të vrarë Hitlerin në vitin 1944.

Operacioni Valkyrie për vrasjen e Hitlerit.

“Unë jam një gjuajtës dhe me një gjuajtje të mirë, Sanchez mbaroi para se e gjithë Spanja të rrëzohet. Nuk do të duhej të kishte asnjë luftë”, tha ai.

Duke u paraqitur të martën e 15 marsit në gjykatën më të lartë penale të Spanjës, Audiencia Nacional, Murillo tha se kishte qenë i mbingarkuar dhe kishte pirë shumë në kohën kur dërgoi mesazhet.

“U ndjeva si një hero, si Rambo, dhe thashë gjëra të tilla për të shpëtuar Spanjën”, tha ai.

I pyetur për mesazhet që kërcënonin jetën e kryeministrit, i pandehuri tha se kishte pirë verë dhe nuk mbante mend t’i kishte dërguar.

Pedro Sanchez – Kryeministër i Spanjës.

“Unë kurrë nuk kam qenë lloji i njeriut për të bërë asgjë. Nëse e thashë, është sepse po ëndërroja me sy të hapur dhe nuk e di pse e thashë. Po jetoja vetëm dhe po kaloja një kohë të vështirë me vetminë dhe ne bënim shaka për këtë”, ka thënë ai.

“Kurrë nuk kam menduar ta bëj këtë dhe nuk e di se çfarë po më kalonte në mendje pasi nuk jam vrasës. Por mund ta kisha thënë sepse isha i dehur. E gjithë kjo sepse isha i dehur. Isha si ata poetët anglezë që deheshin që të shkruanin”, ka shtuar ai.

Oficerët e policisë që kontrolluan makinën dhe shtëpinë e Murillo-s pas arrestimit të tij gjetën një pistoletë, një karabinë, disa revole dhe një pushkë sulmi. Ata sekuestruan gjithashtu lëndë plasëse dhe një sasi të madhe municionesh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore