Lajme

Buleshkaj për AP: AKK ka nisur fazën verifikuese të pasurisë së Luan Dalipit, jo të hetimit


Albin Kurti dhe Luan Dalipi

Agjencia Kundër Korrupsionit të enjten e 24 marsit ka filluar fazën e verifikimit të deklarimit të pasurisë së Shefit të Stafit të Kryeministrit të Kosovës, Luan Dalipi.

Këtë për Albanian Post e ka konfirmuar drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj, i cili ka thënë se procesi është në fazën e verifikimit të deklarimit të pasurisë para një hetimi të mundshëm, pasi këto dy procedura teknikisht janë faza të ndara.

“Ju njoftojmë se Agjencia kundër Korrupsionit, nga monitorimi i rregullt i mediave ka identifikuar informatat lidhur me Biznesin e zyrtarit të apostrofuar, dhe rrjedhimisht është duke verifikuar rastin nga departamentet përgjegjëse para një hetimi pasi janë faza të ndara. Agjencia në asnjë rast nuk paragjykon rezultatin e hetimeve para se te kryhen të gjitha hetimet sipas legjislacionit në fuqi. Zhvillimi i hetimeve dhe kontrollit të pasurisë realizohet pa paragjykime etnike, gjinore, gjuhësore, fetare dhe të tjera të subjekteve deklaruese”, ka thënë ai për AP.

Ndryshe shefi i Kabinitetit të kryeministrit, Luan Dalipi përmes një shkrimi në Facebook, ditë më parë bëri thirrje për bojkotim të mediave që nuk i pëlqejnë, të cilat i quajti përhapëse të fake-news dhe shantazhuese ndaj qeverisë.

“Nuk është gjë e re përdorimi i ndonjë mediumi për të shantazhuar qeverinë. Thurja e gënjeshtrave apo kurtheve dhe plasimi i tyre në portale i bën këto të fundit të ngjasojnë me kompani të kriminalizuara që model biznesi kanë shpifjen dhe tentimin për të shantazhuar qeverinë dhe/apo manipuluar publikun, ose thjeshtë për të fituar pandershëm sa më shumë përmes klikimeve/shikueshmërisë së ‘lajmeve’ të tyre”.

Duke iu referuar puritanizmit qeverisës dhe moralit publik, Dalipi, tha se “disa portale po tentojnë të hakmerren” ndaj “qeverisë së mirë”.

“Është e shëndetshme që qytetarët e denjë t[‘]i injorojnë mediat/portalet qëllimkëqija (thjeshtë në rrjetet sociale t’ua bëjnë “unfollow”)”, mori të drejtën për cilësuar shefi i kabinitetit të Kurtit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore