Përballje

Brazili dhe Kolumbia nisin me këmbë të mbarë “Copa America”-n


Edicioni i 47-të i “Copa America” nisi mjaft mirë për vendin organizator të kësaj gare, Brazilin, të cilët mposhtën me rezultat të pastër 3:0, Venezuelën.

Venezuela paraqitet në “Copa America” me shumë probleme, pasi që për shkak të infektimit të 15 lojtarëve me coronavirus, u desh të zëvendësohen me futbollistë që luajnë në kampionatin vendas.

Ndeshja në stadiumin “Mane Garrincha” të Brazilit u zhbllokua në minutën e 23-të me golin e shënuar nga qendërmbrojtësi Marquinhos, i cili përfitoi nga një tollovi e krijuar në zonë, pas një goditje nga këndi.

Pjesa e parë përfundoi me epërsi minimale të vendasve, teksa në minutën e 64-të, Neymar dyfishoi epërsinë e brazilianëve, i cili shënoi nga pika e bardhë e penalltisë.

Një minutë para përfundimit të kohës së rregull, Gabriel Barbosa, shënoi për 3:0, pas një asistimi të mirë nga njeriu i ndeshjes, Neymar.

Me këmbë të mbarë, këtë kompeticion, e nisi edhe Kolumbia, të cilët morën tre pikë, falë një fitoreje minimale 1:0 përballë Ekuadorit.

Ndeshja u zhbllokua ne minutën e 42-të, me anë të futbollistit Edwin Cardona, i cili realizoi pas një kombinimi të shkëlqyer nga ana e kolumbianëve.

Pas raundit të parë të ndeshjeve Brazili kryeson grupin B, i ndjekur nga Kolumbia, teksa këtyre dy kombëtareve mund t’iu mjaftojë edhe nga vetëm një barazim në tri ndeshjet e mbetura të grupit për të avancuar në fazën tjetër pasi nga raundi i parë do të eliminohen vetëm dy skuadra.

Kujtojmë, që ky edicion i “Copa America”, fillimisht ishte planifikuar të zhvillohet në Argjentinë dhe Kolumbi, mirëpo për shkak të problemeve me coronavirus te Argjentina dhe problemeve politike në Kolumbi, në fund kampionati u zhvendos në Brazil.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore