Lajme

Borrell: Është koha ta përmbyllim dialogun Kosovë-Serbi


Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka thënë se ka ardhur koha që dialogu Kosovë-Serbi të përfundojë.

Borrell ka shkruar në Twitter se takimi i parë i palëve ka ndodhur para 10 vjetëve dhe BE është duke punuar që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse e normalizimit.

“10 vjet më parë, takimi i parë i dialogut Beograd-Prishtinë u mbajt në Bruksel. Ne kemi bërë një rrugë të gjatë, është koha për të përmbyllur procesin”, ka shkruar Borell.

Sipas tij “BE-ja është duke punuar me palët në një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit që do të hap rrugën për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë”.

Në fillim të këtij muaji në Kosovë ishte për vizitë Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimi Evropian për Dialogun Prishtinë-Beograd dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Për takimin e tij me kandidatin për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Lajçak pati thënë se e ka informuar atë për progresin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Z. Kurti dhe unë kemi pasur një bisedë shumë të sinqertë dhe konstruktive. Unë e kuptoj që atij do i duhet pak kohë për t’u njohur me dialogun dhe marrëveshjet e tij dhe jam shumë i kënaqur kur dëgjoj që Z. Kurti e kupton rëndësinë e Dialogut”, theksoi Lajçak.

Ndërkohë, Kurti pati theksuar se s’i ka ndërruar prioritetet as pas takimit me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

“Nuk mund të jetë prioriteti i parë ose i dytë (dialogu), sepse janë drejtësia dhe punësimi”, ka deklaruar Kurti. 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore