Lajme

Lajçak pas vizitës në Kosovë: BE pret të vazhdojë dialogu Kosovë-Serbi


Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimi Evropian për Dialogun Prishtinë-Beograd dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, ka thënë se BE pret vazhdimin e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Para se të largohesha nga Prishtina sot, unë informova Shtetet Anëtare të BE-së për vizitën time. Ne ramë dakord që Dialogu është i një rëndësie thelbësore për aspiratat evropiane të Kosovës dhe Serbisë dhe BE pret vazhdimin e tij”, ka thënë ai.

Po ashtu në komunikatën për media e dërguar nga zyra e BE-së në Kosovë, Lajçak citohet të ketë thënë se “BE dhe SHBA presin që procesi i normalizimit gjithëpërfshirës midis Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë së shpejti”.

Për takimin e tij me kandidatin për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Lajçak ka treguar se menjëherë pas zgjedhjeve të fundit parlamentare e ka informuar atë për progresin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Z. Kurti dhe unë kemi pasur një bisedë shumë të sinqertë dhe konstruktive. Unë e kuptoj që atij do i duhet pak kohë për t’u njohur me dialogun dhe marrëveshjet e tij dhe jam shumë i kënaqur kur dëgjoj që Z. Kurti e kupton rëndësinë e Dialogut”, informoi Lajçak.

Në Prishtinë, Përfaqësuesi i Posaçëm, Lajçak zhvilloi takime edhe me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, kryeministrin në detyrë Avdullah Hoti dhe liderët e partive politike për të theksuar rëndësinë e unitetit në Dialog përtej linjave partiake.

“Ai gjithashtu u takua edhe me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, foli me ambasadorin e SHBA-së dhe informoi shtetet anëtare të BE-sё mbi bisedat e tij”, thuhet në komunikatë.

Lajçak, pas përfundimit të vizitës së tij tre-ditore në Kosovë, të mërkurën do të vazhdojë vizitën e tij në Serbi, ku do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Pas takimit, i cili do të fillojë në orën 18:00 në ndërtesën e Sekretariatit të Përgjithshëm të Presidentit të Serbisë, është planifikuar një konferencë për media.

Kështu bëri të ditur Shërbimi për Bashkëpunim me Mediat i Presidentit të Serbisë.

Në një intervistë ekskluzive për Tanjug, i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pati thënë se ai “nuk do të vinte në Beograd me një ultimatum dhe se Serbia nuk duhet të shqetësohej për bashkëpunimin e ripërtërirë BE-së dhe SHBA-së për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”.

Lajçak vuri në dukje se ai dëshironte që vizitat e tij në Kosovë dhe Serbi të jepnin një përgjigje në pyetjen se kur do të vazhdonte dialogu në Bruksel.

“BE-ja pret një vazhdim të dialogut i cili është i pashmangshëm për Beogradin dhe Prishtinën në rrugën e BE-së. BE-ja është këtu, ne jemi gati t’i marrim dy udhëheqësit në Bruksel dhe tani është çështja se kur do të ndodhë kjo. Unë dua të dëgjoj një përgjigje për këtë gjatë vizitës”, tha Lajçak në intervistë.

Duke komentuar mbi raportet e medias se ai po sillte një lloj ultimatumi për autoritetet serbe, Lajçak tha se “puna e BE-së nuk bazohet në ultimatume. Ne jemi këtu për t’ju ndihmuar. Qëllimi i dialogut është të ndihmojë Beogradin dhe Prishtinën dhe të afrojmë një të ardhme evropiane për të gjithë rajonin”, tha ai.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore