Shqipëria

Borgen Project: Gratë dhe fëmijët në Shqipëri – viktimat kryesore të trafikimit njerëzor


Organizata joqeveritare “Borgen Project”, ka publikuar gjatë muajit nëntor një raport mbi situatën e trafikimit të qënieve njerëzore në Shqipëri.

Qeveria shqiptare identifikoi 81 viktima të mundshme të trafikimit, me pesë viktima të tjera të njohura zyrtarisht në vitin 2020.

Nga 86 viktima gjithsej, 58 ishin fëmijë dhe 62 ishin femra.

Këto shifra janë më të ulëta se në vitin 2019, kur kishte 96 viktima të mundshme dhe shtatë viktima të konfirmuara – 80 prej të cilave ishin femra dhe 67 të mitur.

Megjithatë, numri i viktimave, bën me dije Projekti, ka të ngjarë të jetë më i lartë.

Historiku

Shteti identifikoi gjithsej 134 viktima nga viti 2005 deri në vitin 2006, pas prezantimit të planit të parë të veprimit për “trafikimin e personave.

Mes viktimave ishin 123 gra, 77 fëmijë (112 prej tyre shqiptarë).

Në vitin 2005, kishte 49 dënime dhe në vitin 2006 – 56 të tilla.

“Aftësia e Shqipërisë për të identifikuar viktimat sigurisht që është përmirësuar, megjithatë kompleksiteti i rasteve të trafikimit është rritur me kalimin e viteve, duke i bërë dënimet më të vështira”, vijon Borgen Project.

Sipas saj, Shqipëria është një vend burimor i nivelit të dytë.

Pra, trafikantët kontrabandojnë më shumë njerëz nga Shqipëria sesa sjellin.

Destinacionet kryesore të individëve të trafikuar janë vendet fqinje si Greqia dhe Italia, si dhe vendet e Evropës Perëndimore si Mbretëria e Bashkuar.

Britania numëronte rreth 600 viktima të mundshme shqiptare në vitin 2015.

Në total, numri i viktimave shqiptare jashtë vendit mund të jetë me mijëra.

“Qeveria shqiptare duhet të respektojë plotësisht standardet minimale të Aktit për Mbrojtjen e Viktimave të Trafikimit të vitit 2000 për t’u bërë një vend i nivelit 1, niveli më i lartë dhe më i mirë”, thekson OJQ-ja.

Raporti vëren se Shqipëria ka mbajtur një pozicion të nivelit 2 për shumë vite, sepse ajo vazhdon të bëjë përpjekje të konsiderueshme për të përmbushur standardet e Aktit.

Trafikimi prej varfërisë

Trafikantët e qenieve njerëzore kanë më shumë gjasa të godasin të varfërit dhe ata që jetojnë në zonat rurale.

Raporti ravijëzon arsyet e këtyre faktorëve apo treguesve ndër vite.

“Të varfërit”, cilëson OJQ-ja, “shpesh janë të dëshpëruar për punë dhe njerëzit që jetojnë në zonat rurale janë më të izoluar se banorët e qyteteve”.

Ata sjellin në vëmendje se gratë, fëmijët dhe emigrantët janë “gjahu më i zakonshëm i trafikantëve”.

Këto kategori “shënjestrash” trafikimi priren të jenë më të lehta për t’u joshur dhe mbajtur robër.

Megjithëse nuk janë objektivat kryesorë, trafikantët mbajnë robër edhe burrat, duke i detyruar zakonisht të kryejnë punë në fermë ose fabrika në vendet fqinje të Ballkanit.

Objektivat e trafikantëve

Trafikantët i detyrojnë fëmijët të shesin sende të vogla në rrugë dhe të lypin para, veçanërisht gjatë sezonit turistik.

Kohë, kur trafikantët e dinë se turistët janë më të cënueshëm ndaj këtyre praktikave.

Rrëmbyesit i bëjnë këta fëmijë të dorëzojnë shumicën ose të gjitha paratë që fitojnë.

Trafikantët kërkojnë edhe të mitur për qëllime seksuale.

Ata priren t’i detyrojnë fëmijët e pakicave etnike dhe grupeve të migrantëve si romët në punë sezonale.

“Stigma kundër romëve i bëjnë ata të pambrojtur ndaj trafikantëve, më pak të identifikueshëm si viktima dhe më pak gjasa për të marrë mbështetje”, vë theksin më tej raporti.

Përvoja traumatike

Trafikantët joshin gratë e varfra të punojnë si prostituta duke postuar reklama false për punë dhe duke u paraqitur si të dashur të pasur.

Këto gra mbajnë pak ose asgjë nga paratë që fitojnë, duke i lënë vetëm traumat e përvojave të tyre.

Gratë e robëruara punojnë në sallone, fabrika dhe si shërbyese shtëpiake kur nuk kryejnë punë seksuale.

Emigrantët tranzit që shkojnë në Evropën Perëndimore nga Azia Qendrore, Lindja e Mesme dhe Afrika, janë objektiva shtesë të trafikantëve të qenieve njerëzore në Shqipëri.

Barriera gjuhësore, fakti se ata janë në një vend të panjohur dhe dëshira e tyre për të arritur një komb të pasur i bëjnë migrantët “të cënueshëm” ndaj trafikantëve që kërkojnë t’i shfrytëzojnë ata.

Reagimi i Qeverisë Shqiptare

Qeveria shqiptare, sipas Projektit Borgen, po bën pak për të zgjidhur aftësinë e kufizuar të zbatimit të ligjit.

Kjo, për të kontrolluar dhe identifikuar viktimat e mundshme nga grupet migrante, fëmijët dhe punonjësit e seksit.

Raporti nënvizon se Policia e Kufirit dhe Migracionit ka pak përkthyes. Kjo pengesë gjuhësore përkeqëson vështirësinë për të identifikuar dhe ndihmuar viktimat e trafikimit.

Një nga vërejtjet shkon edhe për prokurorët. OJQ-ja vëren se mungesa e përvojës së specializuar në ndjekjen penale të këtyre rasteve bëhet faktor.

Pra, në përmbyllje, autoritetet shqiptare dënojnë pak kriminelë për krime të lidhura me trafikimin e qenieve njerëzore.

“Në vend të kësaj, ata shpesh ose e dënojnë të akuzuarin për një krim më të vogël, ose i akuzuari lirohet”, tregon raporti.

Investimet e Qeverisë 

Qeveria investoi 29.3 milionë lekë në strehën e specializuar të qeverisë për viktimat e trafikimit njerëzor.

“Kjo është një rritje masive në 20.9 milionë lekë, që shpenzoi në 2019”, sqaron OJQ-ja.

Raporti shton se qeveria vendosi të reduktojë fondet që akordon për pagat e stafit mbështetës në strehimoret e OJQ-ve. Autoritetet shpenzuan në këtë mënyrë më shumë për mbështetjen ushqimore.

Për më tepër, qeveria transferoi 4.6 milionë lekë për një fond të aseteve të sekuestruara kriminale të krijuar për viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore në Shqipëri.

Zyrat e Shërbimit Kombëtar të Punësimit u ofruan prioritet punësimi 60 prej këtyre viktimave.

Qeveria ka ofruar gjithashtu trajnim profesional për 20 viktima të njohura zyrtarisht dhe ka ofruar leje qëndrimi të përkohshme për viktimat e huaja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore