Shqipëria

Bordi i Transparencës cakton çmimet e reja të ushqimeve bazë


Bordi i Transparencës ka vendosur çmimet e reja të ushqimeve bazë për subjektet që tregtojnë me shumicë dhe pakicë.

Nga 10 qershori, orizi kokërrgjatë do të kushtojë jo më shumë se 101 lekë/kilogramë, sheqeri jo më shumë se 104 lekë/kilogramë, ndërsa mielli nuk do të kushtojë më shumë se 90 lekë për kilogramë.

Këto çmime, sipas njoftimit të bordit, do të jenë në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të kësaj strukture.

Ky bord u ngrit më 18 mars me fokus “transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg”.

Gjithashtu  Bordi  i Transparencës vendosi miratimin e marzheve që do të aplikohen për disa produkte ushqimore bazë, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar nga rritja e cmimeve ndërkombëtare.

Për vajin e lulediellit, sqaron bordi, për shkak  se operatorë të ndryshëm kanë diferenca të ndjeshme në çmimet e blerjes në import të vajit të lulediellit, nuk do të aplikohet kosto mesatare e ponderuar e zhdoganimeve.

Ndër të tjera, nuk do të përcaktohet çmim i unifikuar shitje nga çdo subjekt, por çdo importues i vajit të inbotiluar apo importues vaji që e inbotilon dhe e paketon në vend, do të aplikojë marzhin e lejuar.

Kjo, mbi koston e importimit të produktit të tyre sipas deklaratës doganore për çdo parti importi sipas marzheve të parashikuara në vendimin e bordit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore