Sport

Bordi i Barcelona-s i bëri presion Laporta-s për të shkarkuar Koeman-in


Presidentit të Klubit të Barcelona-s, Joan Laporta, i është kërkuar nga bordi drejtues që të shkarkojë trajnerin, Ronald Koeman.

Por, situata financiare te Barcelona, nuk po e ndihmon Laporta-n për të marrë një vendim, duke qenë se është dhe fillimi i sezonit.

Sipas televizionit katalanas “TV3”, disa nga anëtarët e bordit të drejtorëve të Barcelona-s, të kryesuar nga Laporta, u takuan të enjten për të diskutuar të ardhmen e trajnerit Koeman në “Camp Nou”.

Marrëveshja aktuale e holandezit me klubin katalanas është deri në vitin 2022. Nëse vendoset që ai të shkarkohet para kohe, klubi do të duhet të paguajë pjesën tjetër të mbetur të pagave, si dhe pagën e trajnerit të ri.

Jordi Cruyff, djali i legjendës Johan është këshilltar i Laporta-s, por ai ngurron të ndërhyjë në këtë çështje duke qenë se Koeman-i është mik i familjes.

Si zëvendësues me kosto të ulët për Koeman-in ka dalë emri i Sergi Barjuan-it, trajnerit të Barcelona B. Megjithatë, Laporta nuk është ende i bindur se Barjuan-i është gati për të marrë drejtimin e ekipit të parë.

Xavi, ish-mesfushori legjandar i klubit është një tjetër emër që qarkullon për të drejtuar Barcelona-n. Por, derisa ai nuk u zgjodh për të drejtuar skuadrën në fillim të kampionatit është e vështirë të emërohet tani.

Koeman-i pësoi një humbje 3-0 nga Bayern Munich-u në “Camp Nou” në Champions League, çka solli edhe reagimet e bordit ndaj tij.

Përkundër presioneve nga bordi, Laporta ka vendimin përfundimtar për të ardhmen e Koeman-it. Ai tha se “i pëlqen Koeman”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore