Lajme

Blinken: Nëse diplomacia bërthamore me Iranin dështon, SHBA ka “opsione të tjera”


Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se, nëse bisedimet diplomatike me Iranin dështojnë, Shtetet e Bashkuara “janë të gatshme të kthehen në opsione të tjera” për të parandaluar vendin nga marrja e një arme bërthamore.

Ai diskutoi se çfarë do të bënin SHBA-të nëse Teherani nuk kthehet në bisedimet ndërkombëtare gjatë takimeve në Washington me homologët e tij nga Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe të mërkurën.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, thotë se është e gatshme të kthehet në tryezën diplomatike dhe të rifillojë bisedimet në Vjenë, të cilat kanë ngecur për më shumë se tre muaj.

Pushimi filloi, pasi presidenti i ri iranian, Ebrahim Raisi, mori detyrën.

“Ne vazhdojmë të besojmë se diplomacia është mënyra më efektive për ta bërë këtë, por duhen dy për t’u angazhuar në diplomaci dhe ne nuk kemi parë nga Irani një gatishmëri për ta bërë këtë në këtë pikë”, tha Blinken në një konferencë të përbashkët shtypi me ministrin e Jashtëm izraelit, Yair Lapid.

Gjithashtu pjesë e takimit ishte dhe ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe Sheik, Abdullah Bin Zayed Al Nahyan, në Departamentin e Shtetit para takimeve të tyre.

Blinken theksoi se dritarja për diplomacinë me Teheranin po mbyllet “sepse Irani e ka përdorur këtë kohë për të avancuar programin e tij bërthamor në mënyra të ndryshme”.

Me mundësinë diplomatike që po ngushtohet, administrata e Biden po zhvillon diskutime rreth opsioneve të paparashikuara për të frenuar programin bërthamor të Iranit me partnerët dhe aleatët.

I dërguari special i SHBA-ve në Iran, Robert Malley, do të vizitojë Lindjen e Mesme në ditët në vijim, për të vazhduar bisedat me homologët e tij në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katar, tha ai të mërkurën.

“Ne duhet të përgatitemi për një botë, të cilën ne po e bëjmë tani në konsultim me partnerët tanë nga rajoni – një botë ku Irani nuk ka kufizime në programin e tij bërthamor. Ne duhet të marrim parasysh opsionet për t’u marrë me këtë”, tha Malley gjatë një ngjarjeje në Fondacioni Carnegie për Paqen Ndërkombëtare.

Blinken përsëriti qëndrimin e SHBA-ve se, “Iranit nuk mund t’i lejohet të fitojë një armë bërthamore”, kur u pyet nëse një opsion ushtarak do të ishte në tryezë nëse diplomacia është e pasuksesshme.

Gjatë një fjalimi para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara muajin e kaluar, Raisi këmbënguli se Irani nuk po ndjek armët bërthamore, se SHBA -ja është fajtore për largimin nga marrëveshja bërthamore dhe theksoi se SHBA -ja duhet së pari të përmbushë detyrimet e saj sipas marrëveshjes, duke heqjen e sanksioneve.

Raisi ka thënë gjithashtu se zyrtarët iranianë janë gati të rinisin bisedimet për marrëveshjen me Iranin së shpejti.

Malley tha se veprimet e Iranit tregojnë se ata mund të mos jenë gati të kthehen në përputhje me marrëveshjen bërthamore të Iranit, të cilën SHBA e braktisi nën administratën e presidentit, Donald Trump.

120 kg uranium është pasuruar në masën 20% nga Irani, marrëveshja me SHBA sërish në rrezik

Irani ka pasur më shumë se 120 kilogramë uranium në masën 20%, shumë më shumë se sa sasia e dakordësuar në marrëveshjen e vitit 2015 me SHBA-të, duke çuar – sërish – në ngërç bisedimet për rikthimin në marrëveshje, pas daljes që i bëri ish-presidenti amerikan, Donald Trump, në vitin 2018.

Lajmin për sasinë e pasuruar, e bëri me dije shefi i energjisë bërthamore në Iran, Mohammad Eslami.

2015-2018

Nën udhëheqjen e Barack Obamës, në vitin 2015, SHBA-të dhe Irani nënshkruan një marrëveshje bërthamore, me garantë të saj vende si Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Rusia, Kina.

Dy pikat thelbësore ishin ulja e pasurimit të uraniumit nga ana e Iranit dhe heqja e disa sanksioneve perëndimore ndaj republikës islamike.

Marrëveshja do të funksiononte për tre vjet. Por, me ardhjen në Shtëpinë e Bardhë të ish-presidentit Donald Trump, rrjedha e ngjarjeve do të ndryshonte.

Vetëm një vit pas marrjes së postit, në 2018-ën, Trump e tërhoqi Amerikën nga pakti. Ai riktheu sanksione të fuqishme ndaj Iranit dhe zyrtarëve të lartë atje. Një luftë e vërtetë diplomatike nisi mes dy vendeve.

Aq sa paramendohej se mund të kishte një konflikt real midis dy shteteve historikisht rivale.

Tonet e ashpra vijuan deri në ndërrimin e pushtetit në SHBA.

Në janar 2021, Joe Biden u bë president. Faqja e diplomacisë amerikane, ktheu rrjedhë.

Zotimi i qartë: Vëmendja jonë është marrëdhënia e mirë me çdo shtet të botës.

Në çështje, ishte edhe rikthimi i mundshëm i Washingtonin në marrëveshjen e 2015-ës. Mirëpo, bisedimet, pas edhe një krize të madhe mes dy vendeve, nuk ishin të thjeshta.

Të njëjtët aktorë që u bënë “dëshmitarë” të marrëveshjes, filluan angazhimin për nisjen e tryezave të përbashkëta të ndërmjetësuara.

Një e tillë nuk është arritur ende. Gjithsesi, ka pasur nuanca dhe përpjekje, me tryeza të veçanta komunikimi mes partnerëve dhe dy vendeve të përfshira drejtpërdrejt.

Pushteti në Irani ndërroi po ashtu fytyrë këtë vit. Ebrahim Raisi u bë president, dhe pikëpamjet e tij janë edhe më radikale ndaj amerikanëve, në krahasim me paraardhësin, Hassan Rouhani.

Mbetet për t’u parë nëse zhvillimi i fundit i pasurimit të uraniumit nga ana e Teheranit, do të sjellë një ulje të mundshme në tryezë të dy palëve.

Marrë nga CNN, përshtatur për Albanian Post

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore