Lajme

Blinken: Nëse bëni hapa të gabuar dëmtoni popujt tuaj – kam qenë direkt me Kurtin, jo hapa të njëanshëm


Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka folur shkurtimisht edhe për Kosovën, në një konferencë për media nga kryeqyteti i Norvegjisë, Oslo, ku po qëndron për një takim informal në mes të ministrave të punëve të jashtme të shteteve anëtare të NATO-s.

Blinken tha se perspektiva e Kosovës dhe Serbisë është integrimi euroatlantik dhe se hapat e ndërmarrë kohëve të fundit largojnë të dy vendet nga kjo perspektivë.

Për këtë tha se ka qenë i qartë dhe direkt edhe me dy liderët, kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin, Aleksandër Vuçiç.

“Nëse ndonjëri nga dy vendet bën hapa që largon ata nga perspektiva euroatlantike kjo nuk do t’i bëjë kurrfarë shërbimi qytetarëve të tyre”, tha Blinken.

“Ne kemi qenë shumë të qartë për shqetësimet tona për disa nga aksionet e fundit që janë marrë. Ua kemi thënë këtë direkt liderëve, përfshirë edhe kryeministrit Kurti dhe po kërkojmë nga të dy liderët që të veprojnë me përgjegjshmëri”.

Ai pohoi se “eskalimi dhe aksionet të marra i çojnë dy vendet në drejtim të gabuar, sepse përgjigja që po kërkojmë është de-eskalimi, evitimi i çfarëdo veprimi të njëanshëm dhe kthimi në procesin e normalizimit dhe në përpjekjet evropiane çka u premton të dy palëve një të ardhme në komunitetin euroatlantik”.

Prandaj, Blinken edhe nga Oslo tha se “thërrasim Kosovën dhe Serbinë që menjëherë të de-eskalojë situatën”.

Ai pohoi se SHBA-të “mbështesin procesin e integrimit evropian për Kosovën dhe për Serbinë, por eskalimi aktual dëmton në vend se të ndihmojë përpjekjet për të lëvizur në atë drejtim”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore