Lajme

Blerim Isufaj më i poentuari në garën për Kryeprokuror të Prokurorisë Speciale


Blerim Isufaj

Blerim Isufaj ka dalë me i poentuari nga Paneli Vlerësues i kryesuar nga Kryesuesi i Këshilli Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, në garën për Kryeprokuror të Prokurorisë Speciale të Kosovës, duke i lanë mbrapa kundërkandidatët Atdhe Dema, Valdet Gashi dhe Naim Abazi.

“Komisioni Vlerësues i themeluar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës ka poentuar me 94.6 pikë Blerim Isufajn, derisa kandidatët e tjerë kanë marrë më pak se 90 pikë”, ka treguar ekskluzivisht  një burim brenda KPK-së për Albanian Post.

Sipas këtij burimi, Isufaj që synon të rizgjidhet prapë Kryeprokuror i Speciales, këtë javë do i nënshtrohet votimit të KPK-së edhe për një mandat katër vjeçar, derisa kundërkandidatët e tij kanë të drejtë anekse deri më 5 dhjetor.

Ndryshe, më 6 prill të vitit të kaluar, Isufaj i kishte hyrë edhe garës për Kryeprokuror të Shtetit, teksa Këshilli Prokurorial i Kosovës kishte votuar unanimisht Isufajn për Kryeprokuror të ri.

Por, Isufaj nuk është dekretuar nga presidentja Vjosa Osmani, meqë e ka konsideruar procesin e përzgjedhjes si të korruptuar.

Madje e para e Shtetit pati theksuar se “ka marrë kërcënime” nga disa persona për hezitimin e saj që ta dekretojë Isufajn.

Presidentja thotë se është kërcënuar që ta emërojë Blerim Isufajn kryeprokuror shteti – por refuzon të tregojë emrat e kërcënuesve

30 nëntor, Bekim Kupina, këshilltari për media i Osmanit, tha për Albanian Post se Osmani pret nga Këshilli Prokurorial i Kosovës që të që të dalë me një njoftim të ri për shkeljet që kanë gjetur në propozimin për dekretimin Isufajt si Kryeprokuror i Shtetit.

“Të gjitha çështjet janë trajtuar në letrën/njoftimin e Presidentes, të datës 17 tetor. Presim nga KPK që t’i adresojë shkeljet procedurale të përmendura në atë letër, në një proces të ri”, pati potencuar Kupina.

Në garë për postin e Kryeprokurorit të Shtetit, përveç Blerim Isufajt, kanë qenë edhe Armend Hamiti, Lulzim Sylejmani, Shqipdon Fazliu dhe Kujtim Munishi.

Më 20 prill të këtij viti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij në seancën plenare, një ditë pas arrestimit të Kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqit, nën dyshimin për keqpërdorime në disa tenderë, kishte “sulmuar” Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

“Bëhet fjalë për një Kryeprokuror i cili është i mirënjohur në skenën tonë publike që në rastin e vrasjes së ish-shefit të AKP-së, Dino Hasanajt e kategorizojë si vetëvrasje ndërkaq rastin e vetëvrasjes së ish-drejtorit të informimit në Kryeministri, Hamdi Sopa e shndërrojë në vrasje”, thoshte Kurti.

Për Isufajn, Kurti kishte potencuar se nuk e ka të fituar në gjykatë asnjë rast dhe i njëjti po dëshiron të bëhet Kryeprokuror.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore