Lajme

Presidenca do proces të ri për Kryeprokurorin e Shtetit


Bekim Kupina, këshilltar për media i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë për Albanian Post se Osmani pret nga Këshilli Prokurorial i Kosovës që të që të dalë me një njoftim të ri për shkeljet që kanë gjetur në propozimin për dekretimin Blerim Isufaj si Kryeprokuror i Shtetit.

“Të gjitha çështjet janë trajtuar në letrën/njoftimin e Presidentes, të datës 17 tetor. Presim nga KPK që t’i adresojë shkeljet procedurale të përmendura në atë letër, në një proces të ri”, tha Kupina.

Më 1 nëntor, KPK-ja e kishte dërguar për herë të dytë emrin e Isufajt për dekretim për Kryeprokuror tek Osmani, përkundër se kjo e fundit kishte refuzuar ta dekretojë me 17 tetor, duke e konsideruar procesin e përzgjedhjes si të korruptuar.

Osmani gjatë një konference për media muajin e kaluar, kishte thënë se nuk e ka dekretuar për Kryeprokuror të ri të Shtetit, Isufajn, meqë sipas saj, procesi është cilësuar “si i parregullt dhe diskriminues” nga të gjithë vëzhguesit, si nga organizatat vendore dhe ato ndërkombëtare të cilat kanë evidentuar “10 shkelje në procedurën e përzgjedhjes së Kryeprokurorit”.

Madje e para e Shtetit po ashtu pati theksuar se “ka marrë kërcënime” nga disa persona për hezitimin e saj që ta dekretojë Isufajn.

Ndërsa mosdekretimin e Isufajt, juristët e patën konsideruar si “ndërhyrje” në sistemin e drejtësisë.

Më 6 prill të vitit të kaluar, Këshilli Prokurorial i Kosovës kishte votuar unanimisht Blerim Isufajn për Kryeprokuror të ri të Shtetit.

Isufaj aktualisht është Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale. Ndërsa ushtrues i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit është Besim Kelmendi, i cili i ka kompetencat e plota të Kryeprokurorit.

Në garë për postin e Kryeprokurorit të Shtetit, përveç Blerim Isufajt, kanë qenë edhe Armend Hamiti, Lulzim Sylejmani, Shqipdon Fazliu dhe Kujtim Munishi.

Më 20 prill të këtij viti, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij në seancën plenare, një ditë pas arrestimit të Kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqit, nën dyshimin për keqpërdorime në disa tenderë, kishte “sulmuar” Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

“Bëhet fjalë për një Kryeprokuror i cili është i mirënjohur në skenën tonë publike që në rastin e vrasjes së ish-shefit të AKP-së, Dino Hasanajt e kategorizojë si vetëvrasje ndërkaq rastin e vetëvrasjes së ish-drejtorit të informimit në Kryeministri, Hamdi Sopa e shndërrojë në vrasje”, thoshte Kurti.

Për Isufajn, Kurti pati theksuar se nuk e ka të fituar në Gjykatë asnjë rast dhe i njëjti po dëshiron të bëhet Kryeprokuror.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore