Sport

Bjellorusia që është në një grup me Kosovën, mund të përjashtohet nga kualifikimet e Evropianit


Kombëtarja e Bjellorusisë, që bën pjesë në Grupin I së bashku me Kosovën në kualifikimet e Kampionatit Evropian, mund të sanksionohet nga UEFA.

Sipas asaj që shkruan “DailyMail”, UEFA ka deklaruar se situata është duke u monitoruar dhe nuk përjashtohet mundësia që Bjellorusia të hiqet nga kualifikimet e Evropianit të ardhshëm.

Në një deklaratë për këtë çështje, UEFA tha për The Athletic: “Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s vendosi në mars të parandalojë që ndeshjet të luhen në territorin e Bjellorusisë deri në një njoftim të dytë”.

“Që atëherë, UEFA ka monitoruar vazhdimisht situatën dhe mund të merren vendime të mëtejshme sipas nevojës”.

Pra, këto sanksione nga UEFA mund të merren pasi që Bjellorusia e ka përkrahur Rusinë në forma të ndryshme për luftën e tyre në Ukrainë.

Bjellorusia është një aleat kyç i Rusisë, si dhe mbështetet financiarisht dhe politikisht nga ta.

Madje presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko, konfirmoi së fundmi se kishte urdhëruar ushtrinë e vendit të tij që të pozicionohen me forcat ruse, duke pretenduar se kishte një sulm të planifikuar në vendin e tij nga Ukraina.

Forcat ruse përdorën gjithashtu vendin e Lukashenko-s si një stacion për pushtimin e tyre në Ukrainë, duke dërguar trupa dhe pajisje në Ukrainën Veriore nga bazat në Bjellorusi.

Shkaku i luftës në Ukrainë, Rusisë tashmë i është ndaluar të marrë pjesë në Euro 2024, që do të mbahet në Gjermani.

Ata gjithashtu u përjashtuan nga Kupa e Botës 2022 që do të fillojë në muajin nëntor në Katar, si dhe u përjashtuan nga Liga e Kombeve që ishin në të njëjtin grup me Shqipërinë.

Ata ishin kualifikuar në “play-off” të Kupës së Botës dhe duhej të përballeshin me Poloninë në mars, por FIFA pezulloi ekipet kombëtare ruse nga të gjitha garat.

Bashkimi Rus i Futbollit apeloi kundër ndalimeve nga FIFA dhe UEFA, por Gjykata e Arbitrazhit Sportiv e hodhi poshtë ankesën.

Megjithatë, bjellorusët ende nuk janë përballur me sanksione të ngjashme dhe ishin pjesë e shortit të kualifikimeve për Euro 2024 që u zhvillua këtë të diele.

Në Grupin I ata u shortuan me Kosovën, Zvicrën, Izraelin, Rumaninë dhe Andorrën.

Bjellorusia ka vazhduar garat, por i ka luajtur ndeshjet e saj me dyer të mbyllura dhe jo në vendin e tyre.

Gjatë muajit qershor, Bjellorusia i zhvilloi ndeshjet e saj në territorin e Serbisë, ku në Ligën e Kombeve u përball me Kazakistanin dhe Sllovakinë.

Tani mbetet të shihet në të ardhmen se a do të përjashtohet edhe Bjellorusia nga këto kualifikime.

Kujtojmë që edhe në rast se Bjellorusia nuk do të përjashtohet nga UEFA, zhvillimi i ndeshjeve me Kosovën do të jetë problematike, pasi që ata nuk e njohin pavarësinë e shtetit tonë.

Sa i përket kualifikimeve në këtë grup, është edhe Rumania që nuk njeh shtetin e Kosovës, madje ata do ta diskutojnë me qeverinë e tyre se a duhet që të luajnë kundër Dardanëve apo jo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore