Tregjet

Bitcoin vlen më shumë se Facebook


Bitcoin-i ka tejkaluar vlerën e tregut të kompanive Facebook dhe Tesla, duke arritur në shifrën e 900 miliardë dollarëve.

Çmimi i kriptovalutës, kapi një rekord historik prej 48 mijë dollarësh, mëngjesin e të martës së 9 shkurtit. Nëse mblidhen të gjithë kriptovalutat së bashku, vlera e tyre në treg, kap 1.4 trilionë dollarë. Kjo, do t’i bënte monedhat virtuale të ishin në të njëjtën lartësi me kompaninë mëmë të Google, Alphabet.

Kjo rritje e Bitcoin, vjen menjëherë pas investimit prej 1.5 miliardë dollarësh, që Tesla bëri në kriptovalutë. Kompania e makinave elektrike, nxorri gjithashtu një deklaratë, ku pohonte se do të pranonte pagesa me anë të Bitcoin-it në të ardhmen.

Drejtori i përgjithshëm i Tesla-s, Elon Musk, ka nisur prej kohësh një fushatë të fuqishme mbi përkrahjen e monedhave virtuale. Musk, prej kohësh po reklamon edhe vlera të tjera, si Ethereum apo së fundmi, Dogecoin.

Nëse ky trend rritës dhe kërkesa e lartë për blerje vazhdon, Bitcoin-i mund të arrijë në 50 mijë dollarë brenda javës.

Në mars të vitit 2020, përpara fillimit të pandemisë, kriptovaluta ishte në vlerën e 5 mijë e 600 dollarëve. Vlera e tij është thuajse e dhjetëfishuar tashmë. Kalimi në vlerat monetare virtuale, po shihet si mundësi reale likuidimi nga shumë kompani. Ato mund të transferojnë një pjesë të pagesave në kriptovalutë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore