Tregjet

Bie ndjeshëm vlera e eksportit në Kinë teksa kërkesa për mallra dobësohet


Në Kinë, eksportet kanë rënë ndjeshëm në mars, pjesërisht nga kërkesa më e dobët nga tregjet si Evropa dhe çmimet më të ulëta për mallrat kineze.

Kjo, pavarësisht rritjes së dërgesave nga ekonomia e dytë më e madhe në botë.

Vlera e eksporteve të Kinës ra me 7.5 për qind në mars kundrejt një viti më parë.

Vlera e importit ra me 1.9 për qind, krahasuar me pritjet e analistëve për një rritje prej 1.4 për qind.

Rënia e vlerës së eksporteve nënvizon sfidat me të cilat përballet Pekini teksa i kthehet prodhimit dhe tregtisë në përpjekje për të nxjerrë ekonominë nga një rënie e thellë e shkaktuar nga një ngadalësim në sektorin e pronave, si dhe nga besimi i dobët i konsumatorëve dhe investitorëve.

Prodhuesit kinezë kanë fituar një pjesë të tregut global falë presioneve të brendshme deflacioniste dhe ofertës së tepërt duke ulur koston e mallrave të tyre.

Eswar Prasad, ekonomist dhe profesor i politikës tregtare në Universitetin Cornell, ka thënë se rënia në terma të dollarit ishte ndoshta për shkak të faktorëve të kursit të këmbimit.

Po ashtu edhe disa “dobësive të vazhdueshme në disa nga tregjet kryesore të huaja të Kinës, veçanërisht në Evropë”.

Por ekonomistët kanë thënë se shifrat pasqyronin gjithashtu presionin në rritje të marzhit në Kinë, ku mbikapaciteti në disa sektorë po ulë koston e eksporteve të Kinës.

Pekini po përballet me akuza në rritje nga SHBA-të dhe Evropa se industritë e tij po shkojnë drejt ofertës së tepërt, duke çuar në rrezikun e eksportuesve që hedhin mallra artificialisht të lira dhe të subvencionuara në tregjet ndërkombëtare.

Partnerët tregtarë të Kinës po i bëjnë thirrje Pekinit të investojë më shumë për të stimuluar kërkesën e brendshme për të mbushur boshllëkun e lënë nga sektori i pronave, i cili dikur përbënte gati një të tretën e produktit të brendshëm bruto.

Qeveria e Kinës ka vendosur atë që analistët e përshkruajnë si një objektiv ambicioz prej 5 për qind rritje të PBB-së për vitin 2024.

Pekini ka njoftuar një program për të përmirësuar industrinë vendase dhe mallrat e konsumit në një përpjekje për të rritur kërkesën.

Por sekretarja amerikane Janet Yellen pyeti zyrtarët kinezë këtë javë se si ata planifikonin të përmbushnin objektivin e tyre të rritjes ekonomike nëse nuk bënin më shumë për të stimuluar kërkesën e brendshme.

Rënia e të ardhurave nga eksporti në mars pason një rritje të mprehtë në janar dhe shkurt, e cila u nxit nga një rikthim në ciklin elektronik dhe dërgesa më të mëdha në vende të tilla si Rusia.

Konkurrueshmëria në rritje e Kinës në tregjet globale po çon gjithashtu në thirrje më të mëdha nga bizneset e huaja për qasje më të mirë në tregjet e saj.

Çmimet e ulëta të vendit janë të mira për konsumatorët në mbarë botën dhe do të ndihmojnë qeveritë të luftojnë presionet inflacioniste.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore