Lajme

Bislimi: Shqetësuese që votuesit nga Kosova mund të përballen me pengesa në kufi për zgjedhjet në Serbi – e kam njoftuar Lajçakun


Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës që të marrin pjesë në zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi.

Bislimi përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ e ka cilësuar votën në këto zgjedhje si “votë për rezistencë kundër autoritarizmit dhe shtypjes”.

“Të dielën e 17 dhjetorit, bashkatdhetarët tanë në Luginën e Preshevës, kanë nevojë për mbështetjen e të gjithë neve. Projekti serb për heshtjen e zërit shqip, duhet të përballet me rezistencë e mosnënshtrim”.

“Institucionet qendrore e lokale serbe, i kanë targetuar për diskriminim e shtypje shqiptarët në drejtësi e gjyqësor, arsim, shëndetësi e kulturë, qasje në punësim e ndërmarrje publike. Edhe pasivizimi i adresave është përpjekje e mëtejshme e vazhdueshme për spastrim etnik administrativ e institucional”, ka shkruar ai.

Tutje ai ka paralajmëruar se shqiptarët mund të ballafaqohen me rrezikun e pengesave administrative në kufi.

“Gjithashtu është shqetësuese që për zgjedhjet lokale në Medvegjë, votuesit nga Kosova që duan të shprehin vullnetin e tyre të lirë, mund të përballen me rrezikun potencial të pengesave administrative në kufi”.

Për këtë arsye ai ka potencuar se e ka informuar të deleguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

“Kam njoftuar në lidhje me këtë situatë dhe emisarin Lajçak, ku kërkova gatishmërinë e BE-së që të ndërhyjë në pikën kufitare në Mutivodë në rast të paraqitjes së shkeljeve të tilla”.

Sipas tij, zgjedhjet në Serbi aktualisht janë duke u ballafaquar me një proces jo të duhur.

“Zgjedhjet lokale atje, po përballen me shumë shkelje. Si pasojë e pasivizimit, shumë votues shqiptarë nuk gjenden në regjistrat e votuesve duke ia mohuar të drejtën e votës”.

“Shqiptarët duhet të mbrojnë dhe avancojnë të drejtat dhe liritë për komunitetin tonë që jeton në atje. Vota e 17 dhjetorit, është votë për rezistencë. Për rezistencë kundër autoritarizmit dhe shtypjes”.

Bislimi, ka pohuar se zërat e fuqishëm duhet t’i dalin ballë Luginës.

“Zëri i fuqishëm në parlament, ai i Shaip Kamberit me numër 13, por sidomos dhe ai në nivel lokal, veçanërisht në Medvegjë me numër 2”.

Ai ka shtuar se në këtë betejë politike, secila votë është e vlefshme.

“Ajo duhet të dëshmohet të dielën e 17 dhjetorit, me vendosmëri e guxim”.

Më 3 dhjetor ish-deputeti i Kuvendit të Serbisë, Shaip Kamberi, së bashku me partnerët e listës “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon”, janë takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të cilin e kanë njoftuar për ecurinë e procesit të zgjedhjeve parlamentare të 17 dhjetorit që do të mbahen në Serbi.

“Shqiptarët e diskriminuar të Luginës nuk duhet e nuk guxojnë të mbesin pa zë përfaqësimi e pa përfaqësim të zëshëm. Njoftuam kryeministrin për rëndësinë e vazhdimit të përfaqësimit të shqiptarëve në parlament”, kishte shkruar Kamberi në Facebook.

Prandaj, sipas Kamberit, është me rëndësi që në zgjedhjet e 17 dhjetorit të vazhdohet përfaqësimi i drejtë dhe se “duhet që shqiptarët e Luginës, me votë, të sigurojnë përfaqësimin parlamentar dhe të vazhdojnë betejën politike për drejtësi e barazi”.

Në zgjedhjet parlamentare në Serbi, deri më tani, nga radhët e shqiptarëve, është paraqitur vetëm një listë zgjedhore, Koalicioni “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”.

Kamberi, i cili ka qenë deputeti i vetëm shqiptar në parlamentin e Serbisë, synon që ta marrë edhe një mandat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore