Lajme

Bislimi për thirrjet e tifozëve në Beograd: Mesazhe të Vuçiç-it që s’i thotë publikisht


Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka reaguar ndaj tifozëve ultras të klubit serb të futbollit, “Ylli i kuq” të cilët kërkuan që ushtria serbe të kthehet në Kosovë, kështu duke shfaqur koreografi nacionaliste në një ndeshje miqësore kundër klubit italian, Fiorentina të mërkurën.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Twitter’, Bislimi ka thënë se tifozët e njohur si “Delije” shpesh pëçojnë mesazhet që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, “nuk mund ose nuk dëshiron t’i thotë publikisht”.

“E gjithë kjo ndërkohë që edhe Vuçiç ishte i pranishëm në tribuna. I gjithë aparati shtetëror është ndërtuar në Serbi për median, sportin, artin, kulturën, shkencën që të përdoren për mjete propagandistike dhe për të nxitur dhunën, terrorin, tensionet dhe luftën”, ka shkruar Bislimi.

“Delije shpesh dërgon mesazhe që Vuçiç nuk mund ose nuk dëshiron t’i thotë publikisht. Ai ka nevojë për akte të tilla për të ushqyer urrejtjen dhe nacionalizmin etnik në opinionin publik”.

Tifozët serbë të “Yllit të Kuq (Crvena Zvezda)”, para fillimit të ndeshjes miqësore ndaj ekipit italian “Fiorentina” në Beograd të mërkurën, kanë shfaqur një koreografi nacionaliste ku shkruhej: “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”.

Ata kanë shpalosur koreografinë, së bashku me imazhin e një automjeti ushtarak në minutën e 12-të dhe sekondën e 44-të, duke iu referuar Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Edhe në të kaluarën ka pasur mesazhe urrejtje tmerruese kundër shqiptarëve dhe Kosovës, ndërsa thirrjet nacionaliste dhe irredentise serbe sikurse ajo “Kosova është zemra e Serbisë” gjejnë ende mënyra për t’u shfaqur.

“Kur të kthehet ushtria në Kosovë” – Tifozët e “Crvena Zvezda” shohin ëndrra në vend të futbollit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore